Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 25 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për dy vepra penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sheholli ngarkohet se zbatoi planin operativ të përgatitur nga një zyrtar i Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), duke i përcjellë atij informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike dhe gjendjen e sigurisë në Kosovë, me qëllim dëmtimin e interesave të vendit, si dhe ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor të mbajtur më 12 tetor 2025. Gjithashtu, akuzohet se derisa ishte në paraburgim, shantazhoi të dëmtuarin A.J., duke e dëmtuar mbi 13 mijë euro nën kërcënimin se do t’i publikonte në media video-incizime e informacione që ia dëmtojnë reputacionin e autoritetin.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se nga data e pacaktuar e deri më 9 tetor 2025 në territorin e Kosovës, në vazhdimësi dhe me dashje direkte, Fatmir Sheholli në cilësi të personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë (i njohur si BIA), ka vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga zyrtar i lartë i BIA-s, Bojan Dimiç.
Në aktakuzë thuhet se zyrtari i BIA-s nga i cili Sheholli ka marrë urdhra, shërben si drejtor në Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Sheholli mblodhi, siguroi dhe përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike ka përcjellë te zyrtari në fjalë informacione dhe dokumente që lidhen me aktivitetet politike dhe gjendjen e sigurisë dhe funksionin e institucioneve në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Fatmir Sheholli ka zbatuar në tërësi planin operativ të përgatitur nga ky zyrtari i BIA-s serbe me synim dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen direkt në procesin zgjedhor të mbajtur më 12 tetor 2025.
Kjo pasi që sipas aktakuzës, më 29 shtator 2025 rreth orës 14:00 Sheholli i shoqëruar nga një familjar i tij ka përdorur automjetin “AUDI” ka udhëtuar në Mitrovicën e Veriut dhe se në parkingun e Shkollës Teknike e në afërsi të një kafeneje, nga një person i paidentifikuar ka pranuar materiale me përmbajtje audio dhe transkripte bisedash.
Sipas aktakuzës këto audio dhe transkrpite janë të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitetet dhe Kthim në Republikën e Kosovës e të destinuara për komprementim të tyre. Për këtë shërbim, Sheholli sipas aktakuzës ka marrë shumën prej 5 mijë euro.
Në aktakuzë thuhet se në zbatim të planit të zyrtarit të BIA-s, materialet e marra ia dorëzoi gazetarit Milaim Zeka duke ia dhënë edhe shumën prej 1 mijë euro, si dhe duke e udhëzuar njëkohësisht edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij dhe atë disa ditë përpara ditës së votimit për zgjedhjet lokale.
Kështu, thuhet se përmes këtyre veprimeve në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, Sheholli ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës.
Me këto veprime, Fatmir Sheholli ngarkohet me veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në pikën dy të aktakuzës, thuhet se Sheholli nga viti 2022 e deri në muajin dhjetor 2025 përshirë edhe periudhën sa ndodhej në paraburgim, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., pronar i një biznesi në Republikën e Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri detyroi të dëmtuarin të veprojë në dëm të pasurisë së tij në shumën që tejkalon 13 mijë euro, duke i kërkuar para kinse në emër të huazimit dhe se pastaj përmes kërcënimit se në rast të mosdhënies së parave do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që dëmtojnë rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, këto veprime të Shehollit janë vërtetuar përmes masave të fshehta hetimore, ku vërtetohet se gjatë periudhës sa Sheholli ka qenë në paraburgim, përmes një familjari të tij ka dërguar porosi kërcënuese duke kërkuar shumën mujore prej 700 euro euro me paralajmërimin se në të kundërtën publikon video-incizimet.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari nga frika, përmes një punëtori tij i ka dorëzuar te familjari i Shehollit shumën e parave prej 500 euro.
Andaj, për këto veprime Sheholli ngarkohet edhe me veprën penale “Shantazhi” nga neni 329, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Ndryshe, lidhur me pretendimet ku përmendet në aktakuzë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar gazetarin Milaim Zeka, i cili tha se për herë të parë po dëgjon për këto pretendime.
“Fatmiri materiale ju ka dhanë edhe gazetarëve të tjerë. Paratë prej 1 mijë euro janë dhënë për përkthim të materialeve dhe se na ka thanë se janë të Gizzit gjerman”, deklaroi Zeka.
Pas dorëzimit të aktakuzës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pritet të caktohet seanca fillestare.
Prokuroria ka propozuar që Shehollit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor. Si dhe, që sendet dhe pasuria e sekuestruar (përfshirë 3 mijë e 185 euro) të sekuestruara nga i pandehuri, sipas urdhrit ndalues përfundimtar të gjykatës, të konsifkohen pas përfundmit të gjykimit.
Prokuroria ka propozuar që në cilësi të të dëmtuarit/dëshmitarit të ftohet Nenad Rashiq, si dhe në cilësinë e dëshmitarit Milaim Zeka.
Sa i përket provave të përmendura në aktakuzë për veprën e spiunazhit, thuhet se i pandehuri, gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë por edhe më herët, ka qenë pjesë e strukturave të atëhershme të sigurimit jugosllav, e po ashtu ka ushtruar edhe veprimtari mediale në Radio Televizionin e Prishtinës të administruar nga regjimi i dhunshëm serb dhe më pas në televizionin “AS TV”, ku ka realizuar materiale dhe intervista që përputheshin me narrativën zyrtare të autoriteteve serbe, e në dëm të interesave të popullsisë shqiptare në Kosovë.
Aty thuhet se në një intervistë më 1999 për gazetën e njohur ndërkombëtare “Los Angeles Times”, Sheholli kishte deklaruar se: “forcat serbe nuk po kryenin gjenocid në Kosovë, por vetëm krime individuale”. Po ashtu, thuhet se ekzistojnë edhe intervista dhe paraqitje publike të të pandehurit nga Beogradi, në të cilat ai kishte kritikuar UÇK-në, NATO-në dhe politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, duke paraqitur pretendime se UÇK-ja ishte krijuar dhe mbështetur nga shërbimet amerikane.
Po ashtu, Prokuroria ka bashkëngjitur në aktakuzë edhe provë tjetër për një numër të konsiderueshëm të paraqitjeve publike të të pandehurit pas përfundimit të luftës, në media vendore dhe rajonale, ku theksohet se ai ka mbështetur publikisht qëndrime në favor të “Listës Serbe” dhe të eksponentëve të saj politikë, duke sulmuar kundërshtarët politikë të kësaj partie, me pretendimet se janë kundër interesave të serbëve në Kosovë.
Sipas aktakuzës, në mesin e provave është edhe “Transkripti i bisedës të Fatmir Shehollit me Millan Rajdojqiq në zyrën e Radojqiqit afër restoranit “Grej” në veri të Mitrovicës”, dëshmi këto të sekuestruara gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit Sheholli.
Si provë tjetër, aktakuzës i është bashkëngjitur edhe deklarimet e Shehollit lidhur me tani të kërkruarin me urdhërarrest ndërkombëtar nga organet e drejtësisë në Kosovë, Milan Radoiçiqi, ku ai kishte shprehur publikisht besim në pafajësinë e tij në lidhje me hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Aty thuhet se Sheholli kishte kërkuar që drejtësia t’i jepte mundësinë për ta dëshmuar pafajësinë dhe në paraqitje të tjera mediale, ndërsa e kishte portretizuar atë edhe si faktor me ndikim pozitiv në veriun e Republikës së Kosovës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, provat vërtetojnë se Sheholli në vazhdimësi ka mbajtur kontakte me zyrtarin e BIA-s, Bojan Dimiç duke kryer aktivitete në interes të këtij shërbimi të huaj e në dëm të interesave të shtetit të Kosovës si dhe duke përdorur referenca të ndryshme me qëllim të shmangies dhe ikjes së përgjegjësie penale.
“Duhet potencuar, se nga bisedat e transkriptuara rezulton se Fatmir Sheholli, në koordinim me Bojan Dimiçin, Milaim Zekën dhe persona të tjerë, organizojn pranimin, përkthimin dhe publikimin e materialeve audio dhe transkripteve që dyshohet se janë siguruar në mënyrë të kundërligjshme, ndaj disa zyrtarve të Minstris së Kthimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
Gjatë komunikimeve, sipas aktakuzës, Sheholli diskuton me Dimiçin (në gjuhën serbe) për mënyrën e dorëzimit të materialeve, masat për shmangien e zbulimit dhe mbikëqyrjes, ruajtjen e tyre, si dhe koordinon publikimin në media dhe rrjete sociale me qëllim që përmbajtja të ketë sa më shumë jehonë dhe ndikim publik.
Aktakuza thotë se më 24 shtator 2025, Sheholli kishte kontaktuar Zekën, në këtë rast si dëshmitar, të cilin e njofton se më datë 27 ose 28 shtator do të pranojë materialet dhe më pas do t’ia dorëzojë për publikim.
“(Fatmiri në këtë telefonatë i thotë Milaim Zekës: “ndëgjom me 27-tin ose 28-tin vijn ato senet edhe i shohim dhe flasim”). Për ta fshehur origjinën e tyre, ai i paraqet materialet se kinse i ka siguruar nga “GIZI Gjerman”, ndërsa i premton Milaim Zekës shumën prej 2,000.00 euro për publikimin e tytre, 1,000 euro në fillim dhe 1,000 euro tjera pas dhjetë ditësh, pas publikimit të tyre në emisionin e tij “Pa Rrotlla”’, citohet në aktakuzë.
Këto veprime inkriminuese të të pandehurit, thuhet se vërtetohen nga zbatimi i masave të veçanta hetimore, në audio-incizimin e bisedës me Zekën.
Më tej, në aktakuzë thuhet se materialeve të siguruara nga BIA, i pandehuri Fatmir Sheholli i referohej me kode, si: “Turshi” dhe “kumbulla”. Theksohet se takimi me Zekën dhe dorëzimi i materialit e parave janë dokumentuar si me monitorim audio ashtu edhe me pamje të kamerave të sigurisë.
Prokuroria në aktakuzë thekson se plani i BIA-s fillon të zbatohet më 30 shtator 2025 ku në profilin “Pa Rrotlla” të Milaim Zekës publikohet paralajmërimi për materialin, ndërsa po atë mbrëmje publikohet edhe audio-incizimi i parë i siguruar nga i pandehuri Fatmir Sheholli, nga/dhe në koordinim me Bojan Dimiç.
Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë deklaratës së dhënë në Polici, Zeka u pyet nëse kishte pranuar mjete financiare nga Sheholli për t’i publikuar këto materiale.
“Marrveshja ka qene që, gjithmonë sipas Fatmir Shehollit GIZI Gjerman i ka nda dy mije euro (2000 euro) per publikim të cilat 1000 mi ka dhene mua kur jemi taku ne Garden dhe 1000 euro te tjera do te mi japë pas përfundimit te publikimit, te cilat nuk mi ka dhene ende“, citohet të ketë deklaruar Zeka.
Në anën tjetër, vetë Sheholli kishte pohuar që Zekës i ka dhënë se materialet janë nga Gizzi gjerman.
“Milaim Zekes une i kom thon qe janë prej nje ish punëtori te GIZIT. Ai nuk ka pasur njohuri se une kam biseduar me Bojan Dimic lidhur me kete çështje. Por per publikimin e këtyre materialve Milaimi mi ka kërku 3-4 mije euro për përkthim, editim publikim“, citohet të ketë deklaruar Sheholli.
Në aktakuzë gjithashtu thuhet se nga deklarimi i Shehollit në Polici dhe Prokurori në prezencën e avokatit të tij, ai konfirmon origjinën e materialeve nga BIA serbe, të cilat i kishte pranuar dhe ishte në dijeni se me to ishte ushtruar presion dhe shantazh ndaj Nenad Rashiqit dhe i kishte paralajmëruar paraprakisht edhe zyrtarët e Ministrisë për publikimin e tyre (Vedat Maxhunin), kurse për zbatimin e këtij plani operativ të BIA-s serbe, i pandehuri kishte pranuar shumën prej 5 mijë euro.
Kurse, nga analizimi i fletoreve të sekuestruara nga i pandehuri Fatmir Sheholli, sipas aktakuzës, rezulton se ai ka mbajtur shënime të shumta që lidhen me çështje të sigurisë, politikës dhe informacione konfidenciale, duke evidentuar emra personash, numra telefoni, të dhëna operative dhe kalkulime financiare, e që janë forma tipike të spiunimit.
Ndër provat e listuara në aktakuzë, është edhe një dokument i titulluar “Top Secret 2” dhe në prapavijë markimi “CONFIDENTIAL”, në të cilin paraqitet një plan/program politik dhe strategjik i fshehtë, i cili synon zgjerimin e ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon dhe përfshirjes së figurave me ndikim në sport, muzikë, media dhe politikë.
“Nga analiza e dëshmisë Z#4.1, përkatësisht dokumentit të emërtuar “Leptiri”, të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se bëhet fjalë për një dokument i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë“, thuhet ndër tjera në aktakuzë.
Në anën tjetër, lidhur me veprën e shantazhit, thuhet se nga analizimi i bisedave të përgjuara gjatë vizitës së datës 08.12.2025, të realizuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ndërmjet të pandehurit Fatmir Sheholli, bashkëshortes së tij dhe djemve të tij, rezulton se i pandehuri ka dhënë udhëzime për kontaktimin, përmes personit të identifikuar si Lorik, të të dëmtuarit A.J., me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij përmes përdorimit të një video-incizimi komprometues. /BetimipërDrejtësi
