Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas Policisë, sot, njësia e Task Forcës–Jugu ka vërejtur nga drejtimi i fshatit Tanushë të Maqedonisë së Veriut një furgon të bardhë me targa vendore, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, në drejtim të fshatit Mjak të Vitisë, njofton Dukagjini.
Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë arritur ta ndalojnë automjetin pranë brezit kufitar teksa gjatë kontrollit janë gjetur sasi të konsiderueshme të produkteve ushqimore.
Siç bëhet e ditur në njoftimin policor, në furgon janë sekuestruar: 9,525 copë çipsa, 700 copë pashteta me peshë nga 95 gramë, 750 copë gullash gjedhi me peshë nga 200 gramë.
Sipas Policisë, drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen apo importimin e mallrave, ndërsa produktet mbanin mbishkrime të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Vlera preliminare e mallrave të dyshuara si të kontrabanduara llogaritet në mbi 5,000 euro, pa përfshirë detyrimet dhe taksat doganore që dyshohet se janë shmangur.
Mallrat dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor. Për rastin janë ndërmarrë veprimet procedurale, ndërsa procedimi i mëtejmë do të bëhet nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës.