UNMIK-u: Bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Beogradit, vendimtar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave që ende figurojnë si të zhdukur nga lufta në Kosovë duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të bazuara në të drejtat e njeriut dhe të përqendruara te viktimat dhe familjet e tyre, ka deklaruar Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter Due.

Në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara, Due ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është thelbësor për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Ai ka thënë se, pavarësisht përparimit të arritur ndër vite, shumë familje vazhdojnë të jetojnë me dhimbje dhe pasiguri për fatin e të afërmve të tyre.

“Çështja e personave të zhdukur nuk duhet kurrë të politizohet. Përparimi domethënës varet nga bashkëpunimi, besimi dhe angazhimi i përbashkët për t’iu dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë”, ka thënë Due.

Sipas UNMIK-ut, më shumë se 1,500 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

UNMIK-u ka përmendur edhe zbulimin e fundit të mbetjeve njerëzore në Zubin Potok, të cilat besohet se u përkasin së paku 23 individëve, duke e cilësuar këtë si dëshmi se edhe pas dekadash mund të gjenden përgjigje për fatin e personave të zhdukur.

Due ka bërë thirrje që procesi të vazhdojë me fokus te viktimat dhe familjet e tyre, në mënyrë që ato të marrin përgjigjet që i presin prej vitesh.

Due shprehu solidaritet me familjet që prej vitesh presin informacione për fatin e të afërmve të tyre, duke theksuar se të drejtat dhe nevojat e tyre duhet të jenë në qendër të të gjitha përpjekjeve për zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur.

“UNMIK-u do të vazhdojë përkrahjen e ndihmës psikologjike dhe formave të tjera të mbështetjes për këto familje”, ka thënë Due.

Shefi i UNMIK-ut ka bërë thirrje edhe për zbatimin e plotë të Deklaratës së BE-së për personat e zhdukur, si dhe për vazhdimin e punës përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, të udhëhequr nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për gjetjen dhe identifikimin e personave që ende rezultojnë të zhdukur.

Kjo ditë shënon edhe 20-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Detyrim, e cila u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2006.

UNMIK-u ka përsëritur përkushtimin për të vazhduar mbështetjen për familjet e personave të zhdukur, në përpjekjet e tyre për të realizuar të drejtën për të ditur fatin dhe vendndodhjen e të afërmve të tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika