Policia e Kosovës ka njoftuar se janë dërguar katër persona në mbajtje e janë sekuestruar pajisje komunikuese lidhur me dyshime për keqpërdorim gjatë testit për patentë shofer.
Drejtoria e Policisë në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka marrë veprimet hetimore lidhur me rastin.
“Hetimet, të cilat kanë filluar në bazë të informacioneve të pranuara, kanë rezultuar me sigurimin e provave dhe informacioneve që ngrenë dyshime të arsyeshme se persona të caktuar, në bashkëveprim, kanë përdorur pajisje të ndryshme telekomunikuese dhe teknologjike për t’iu mundësuar kandidatëve marrjen e përgjigjeve nga distanca gjatë testimit. Në kuadër të zhvillimit të mëtejmë të hetimeve, më 31 gusht 2026, Policia e Kosovës ka pranuar informacione lidhur me dyshimin se disa kandidatë do të hynin në testin me shkrim për patentë shofer duke përdorur pajisje të komunikimit”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se është ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar pajisje që dyshohet se janë përdorur gjatë testimit. Po ashtu është bërë bastisje edhe në dy lokacione, por nuk janë gjetur sende të dyshuara.