Policia në Mitrovicën e Veriut ka arrestuar një person të kërkuar, i cili ishte dënuar me shtatë muaj burgim efektiv për veprën penale “Vjedhje në tentativë”.
Sipas njoftimit të Policisë, më 9 shtator 2026, në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut është paraqitur H.B., i lindur në vitin 2001. Ai paraprakisht ishte kërkuar në vendbanimin e tij, pasi Policia kishte pranuar informacione nga qytetarët se ndodhej në territorin e Kosovës.
Personi ishte në kërkim në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, lidhur me veprën penale “Vjedhje në tentativë”.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, H.B. është shoqëruar dhe dërguar në vuajtje të dënimit, në përputhje me urdhër-arrestin e gjykatës.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar që çdo informacion për persona të kërkuar ta raportojnë në numrin 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë edhe në ditët në vijim zbatimin e urdhëresave të gjykatave ndaj personave të kërkuar që ende nuk u janë përgjigjur thirrjeve të organeve të drejtësisë.
