Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk pret që lufta me Iranin të përfundojë para zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, duke paralajmëruar njëkohësisht se çmimet e naftës nuk pritet të bien deri atëherë.
“Unë mendoj se lufta do të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse ata nuk mund të rezistojnë më gjatë”, tha Trump të mërkurën, duke iu referuar Iranit.
Deklaratat i bëri teksa udhëtonte drejt Teksasit, ku po mbahej konventa e parë e republikanëve për zgjedhjet afatmesme.
Këto zgjedhje, që do të mbahen më 3 nëntor, mund të ndryshojnë balancën e pushtetit në Kongresin amerikan, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Trump po përballet me rënie të mbështetjes në sondazhe dhe me presion nga brenda Partisë Republikane për t’i dhënë fund luftës me Iranin. Ndërkohë, çmimi i naftës u rrit të mërkurën në 100 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga korriku, për shkak të intensifikimit të luftimeve në Lindjen e Mesme.
“Menjëherë pas zgjedhjeve, çmimet e naftës do të bien ndjeshëm”, u tha Trump gazetarëve. “Mendoj se do të zgjasë pak më shumë se zgjedhjet afatmesme.”
Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se Irani është “i dëshpëruar” për të ndikuar në zgjedhjet amerikane, në mënyrë që demokratët të marrin më shumë pushtet. Ai nuk paraqiti prova për këtë pretendim. Teherani, ndërkaq, ka mohuar vazhdimisht se po kërkon të prodhojë armë bërthamore.
Në fjalimin e tij në Teksas, Trump përsëriti se çmimi i naftës do të binte “sapo të fitojmë luftën me Iranin”.
Ai tha se disa amerikanë po shprehin pakënaqësi për luftën për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve.
Trump la të hapur mundësinë për zhvillimin e negociatave të mëtejshme me Iranin, por tha se “nuk është diçka që po e shqyrtojmë”.
Presidenti amerikan kishte parashikuar fillimisht se lufta, e cila tashmë ka hyrë në muajin e shtatë, do të zgjaste vetëm disa javë. Konflikti dhe pasojat e tij në çmimet e karburanteve, ushqimeve dhe transportit kanë ndikuar në rënien e ndjeshme të vlerësimit për Trumpin dhe kanë shtuar presionin nga republikanët për t’i dhënë fund luftës.
Republikanët rrezikojnë të humbin kontrollin mbi Kongresin në zgjedhjet e 3 nëntorit. Historikisht, partia e presidentit në detyrë ka tendencë të humbasë vende në Kongres gjatë zgjedhjeve afatmesme.
Ndërkohë, luftimet në Lindjen e Mesme janë intensifikuar ditët e fundit, ndërsa objektet e naftës në rajon janë vënë nën sulm, duke ndikuar në rritjen e çmimeve globale të karburanteve dhe kostove të transportit.