Një vendim i ri i drejtësisë italiane mund të ndryshojë ndjeshëm dënimin për mekanikun Cristiano Mossali, i dënuar për vrasjen e 40-vjeçarit nga Kosova, N.R., në vitin 2022.
Gjykata e Kasacionit në Itali ka pranuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe ka rrëzuar pjesërisht vendimin e Gjykatës së Apelit në Brescia, duke e rikthyer çështjen për shqyrtim në një tjetër gjykatë apeli.
Në qendër të rishqyrtimit do të jetë çështja e paramendimit. Gjykata e Apelit në Venecia do të duhet të përcaktojë nëse vrasja e N.R. është kryer me paramendim dhe, në varësi të këtij vlerësimi, të rishqyrtojë edhe masën e dënimit, shkruajnë mediat italiane.
N.R., 40 vjeç, banues në Capriolo të Italisë, u vra në vitin 2022. Trupi i tij u dogj dhe më pas u fsheh në bagazhin e një automjeti SUV, ku u gjet më 29 gusht të po atij viti.
Sipas akuzës, Mossali e kishte qëlluar 40-vjeçarin në punishten e tij, pas një konflikti financiar mes tyre. Në qendër të përplasjes ishte një borxh prej rreth 30 mijë eurosh, të cilin mekaniku nuk kishte arritur ta shlyente.
Në shkallën e parë, Mossali u dënua me 27 vjet burg për vrasje me paramendim.
Vendimi u ndryshua më pas nga Gjykata e Apelit në Brescia, e cila e uli dënimin në 14 vjet burg, pasi nuk e konsideroi të provuar paramendimin dhe mori parasysh edhe rrethana lehtësuese.
Prokuroria e Përgjithshme e kundërshtoi vendimin e Apelit dhe iu drejtua Gjykatës së Kasacionit, duke kërkuar rishqyrimin e çështjes.