Ministri i Brendshëm i Renisë Veriore-Vestfalisë, Herbert Reul, ka deklaruar se i dyshuari për sabotimin e rrjetit elektrik në Gjermani planifikonte më shumë se 100 sulme të ngjashme.
I dyshuari, i identifikuar si Daniel V., u arrestua të martën në këtë land, pas disa përpjekjeve të dyshuara për sabotim në pjesë të ndryshme të Gjermanisë.
Sipas Reul, i dyshuari kishte synuar 40 objekte të energjisë elektrike vetëm në Reninë Veriore-Vestfali. Në një fletore të sekuestruar nga policia u gjetën shënime për më shumë se 160 objektiva të mundshëm, disa prej tyre edhe në vendet fqinje.
Ministri tha se arrestimi mund të ketë parandaluar sulme të tjera, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar nëse i dyshuari ka pasur bashkëpunëtorë ose nëse mund të jetë rekrutuar nga ndonjë fuqi e huaj.
Reul theksoi se aktualisht nuk ka prova për një lidhje të tillë. Rasti është shfaqur në prag të zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt dhe pas një incidenti të dyshuar me dron në aeroportin e Lajpcig-Hales, të cilin qeveria gjermane e ka cilësuar si sulm hibrid të dyshuar nga Rusia.