Qindra qytetarë mblidhen në Prishtinë, kërkojnë liri për çlirimtarët

Qindra qytetarë kanë mbushur sheshet e kryeqytetit në mbështetje të “Marshit për Liri”, të organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Qytetarë që kanë ardhur nga të gjitha vendet e Kosovës por edhe më gjerë kanë të njëjtën kërkesë, liri për çlirimtarët.

Në kuadër të programit të marshit, në emër të platformës “Liria ka Emër” do të mbajnë fjalime dy përfaqësuesit e platformës, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, ndërsa shoqatat e dala nga lufta do të përfaqësohen nga Hysni Gucati.

Para pjesëmarrësve do të flasë edhe Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani.

Në mesin e folësve do të jenë edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, vajza e Salih Mustafës, i njohur si komandant “Cali”.

Në mesin e pjesëmarrësve pritet të jenë edhe më shumë se 150 deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues të institucioneve të vendit.

Aktiviteti mbahet katër ditë para datës 16 shtator, kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Platforma “Liria ka Emër” e ka cilësuar marshin si një mobilizim qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe mbështetje për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa ka bërë thirrje që pjesëmarrja të jetë masive, paqësore dhe dinjitoze.

Më poshtë gjeni pamjet nga Dukagjini direkt nga sheshet e Prishtinës.

Të fundit nga rubrika