Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, prej të cilave 28 janë shuar plotësisht, tri mbeten nën mbikëqyrje dhe vetëm një vatër vijon aktive, siç bën të ditur Ministria e Mbrojtjes.
Situata është përmirësuar ndjeshëm si në Malin e Dajtit ku flakët kanë vijuar prej javësh ashtu dhe në qarkun e Dibrës. Aktive është vatra në fshatin Gallatë në Milot ndërsa terreni i thyer vështirëson ndërhyrjen e ekipeve të zjarrfikësve.
Në operacionet për përballimin e zjarreve janë angazhuar 426 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 92 efektivë, 10 mjete, 1 dron dhe 1 autoambulancë.
Ky sezon veror ka përballur dhe njëherë tjetër Shqipërinë me zjarret. Ndër vendet më të prekura është Fushë Kruja, Himara, Fieri, Puka, Himara, Lura si dhe rrethinat në Tiranë. Fatmirësisht nuk ka bilance negative në jetë njerëzish, ndonëse ka pasur banesa të djegura e sipërfaqe të mëdha pyjore e bujqësore totalisht të shkrumbuara./tvklan