Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur sonte një mbledhje të jashtëzakonshme, ku ka vendosur të votojë pro kandidatëve të PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, për postet e nënkryetarëve të Kuvendit në vazhdimin e seancës konstituive të caktuar për nesër në orën 10:00.
Por, për të njëjtit VV-ja thotë se pret që të jenë konstruktivë duke votuar për Presidentin qodtë pro ose kundër, njofton Dukagjini.
“Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 10:00. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të votojmë për nënkryetar kuvendi nga radhët e PDK-së dhe LDK-së dikë që nuk e bojkoton zgjedhjen e presidentit e asisoj na dërgon në përsëritje të zgjedhjeve. Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër”, thuhet më reagimin e VV-së.
Mes tjerash, VV-ja ka përmendur edhe procesin e konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke theksuar se atëherë kishte ndryshuar disa herë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Pra vetëm katër deputetë mangu, e duke e zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, plot katër herë e ndryshuam emrin e kandidatit tonë për kryetar kuvendi para se të zgjidhej Dimal Basha me 26 gusht, pesë muaj pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit”, thuhet në postim.
Tutje thuhet se kanë votën për Çitakun dhe Shalën edhe nëse PDK-ja dhe LDK-ja nuk ndryshojnë emrat e kandidatëve.
“E pra, ne kemi vendosur t’i votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, edhe nëse nuk i ndërrojnë emrat e kandidatëve qysh bëmë ne.”
“Nesër në mëngjes deputetët e PDK-së porsa ta ripropozojnë Vlora Çitakun (e cila edhe ashtu i ka edhe dy mundësi), ne do ta votojmë.”
Në fund, LVV-ja ka shprehur pritjen që edhe deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, të marrë pjesë në seancën ku pritet të votohet për presidentin, sipas marrëveshjes LVV-LDK për kandidaturën e Bekim Sejdiut.
“Gjithashtu, shpresojmë që edhe deputeti Kujtim Shala, nënkryetar i ardhshëm i kuvendit, të marrë pjesë në seancën kur do të votohet për Bekim Sejdiun president sipas marrëveshjes LVV-LDK”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Kujtojmë se të mërkurën pas shtyrjes së seancës për nesër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në emisionin “FIVE” në Dukagjin, bëri të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancën e së dielës.
Musliu-Shoshi: PDK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën e së dielës