Arrin në 129 numri i të zhdukurve pas fundosjes së anijes në Indonezi

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa 129 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një anije pasagjerësh u përmbys në Detin Java të Indonezisë, në orët e para të së dielës, gjatë motit të keq, njoftoi agjencia indoneziane e kërkim-shpëtimit.

Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin gjallë 108 persona nga anija Virgo Transport 8, ndërsa operacionet për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë kanë vijuar, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Familjarë të pasagjerëve janë mbledhur në qytetin Banjarmasin, në provincën Kalimantan Jugor, ku anija po udhëtonte përpara se të humbiste kontaktin me autoritetet.

Një grua, e cila u identifikua si Putri, tha se kishte qenë në telefon me bashkëshortin e saj, Herman, pak para se të humbnin sinjalin.

“Pastaj pas kësaj nuk pati më kontakt, nuk mundëm ta kontaktonim”, tha ajo për Reuters.

Anija ishte nisur të shtunën nga qyteti Surabaya, në Java Lindore, me 243 persona në bord, përfshirë 30 anëtarë të ekuipazhit, sipas agjencisë së kërkim-shpëtimit.

Një helikopter që po kalonte pranë zonës raportoi se anija ishte përmbysur, tha ministri i Transportit, Dudy Purwagandhi, në një konferencë për media. Ai shtoi se shkaku i incidentit është ende nën hetim.

Agjencia e kërkim-shpëtimit kishte njoftuar më herët se anija ishte fundosur.

Pasagjerët e shpëtuar janë dërguar në anije të tjera, ndërsa disa prej tyre pritet të transportohen drejt një porti në Java Lindore, tha I Putu Sudayana, drejtues i zyrës së agjencisë në Banjarmasin.

Indonezia, një shtet ishullor me rreth 17 mijë ishuj, mbështetet shumë te transporti me tragete, pasi rrugët detare janë më të përballueshme dhe më të qasshme sesa udhëtimi ajror.

Të fundit nga rubrika