Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit, mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, ka prezantuar planin ekonomik dhe prioritetet e ekzekutivit për mandatin e ardhshëm.
Kurti tha se Qeveria synon transformimin industrial të vendit, ndërsa paralajmëroi një program prej 1 miliard eurosh për prodhimin dhe industrinë.
“Programi prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri do të garantojë kreditë për investimet në kapacitete të reja, përfshirë industrinë kreative dhe skemat e subvencionimit të pagave”, tha Kurti.
Ai paralajmëroi edhe lehtësira për bizneset, përfshirë amortizimin e përshpejtuar, faturimin elektronik, rimbursim më të shpejtë të TVSH-së dhe heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian.
Në fushën e teknologjisë, Kurti tha se do të nisë zhvillimi i valutës digjitale të Kosovës, ndërsa në Prishtinë do të ndërtohet Kulla e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Ai paralajmëroi edhe themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik, si dhe krijimin e një rrjeti të përbashkët të transportit publik në Kosovë. Sipas tij, synohet që bileta mujore për transportin në tërë vendin të kushtojë 10 euro.
Në turizëm, Kurti tha se mandati i ri do të nisë me projektin e Brezovicës, ku, sipas tij, investimet mund të arrijnë deri në 500 milionë euro.
“Investimet deri në 500 milionë euro do të përfshijnë rrugët, akomodimin, pistat dhe një rrjet bashkëkohor teleferikësh”, deklaroi ai.
Sa i përket diasporës, Kurti paralajmëroi mbështetje deri në 100 milionë euro për investimet e mërgatës në Kosovë, ndërsa tha se anëtarësimi në SEPA do t’u kursejë mërgimtarëve rreth 60 milionë euro nga shpenzimet e dërgesave.
Në politikat familjare, ai paralajmëroi programin “Generata për gjeneratë”, përmes të cilit gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat do të marrin nga 100 euro shtesë në muaj.
Kurti tha gjithashtu se shtesat për fëmijë do të dyfishohen, ndërsa brenda gjashtë muajve të parë të mandatit do të nisë programi “Superpuna” për gratë.
Në fund, Kurti foli edhe për pagat dhe të drejtat e punëtorëve. Ai tha se paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet, ndërsa paga mesatare në sektorin publik pritet të kalojë 1 mijë euro në muaj.
Ai paralajmëroi edhe pagën e 13-të në sektorin publik dhe privat, me synimin që në të ardhmen të planifikohet edhe paga e 14-të.