Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar edhe sot Gjykatës Kushtetuese.
Deputeti Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, kanë dorëzuar në Kushtetuese, kërkesën për kontestimin e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Nga PDK kanë deklaruar se mënyra e konstituimit të Kuvendit dhe procedurat e ndjekura pas tij kanë probleme kushtetuese, ndaj dhe ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë ligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë.
Kujtojmë se edhe një ditë më parë, PDK iu drejtua Kushtetueses lidhur me konstituimin e legjislaturës së 11-të e cila e votoi qeverinë Kurti 4, pasi zgjodhi kryetaren dhe 4 nënkryetarët e Kuvendit.
Sipas partisë më të madhe opozitare, kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij shkelën afatet kushtetuese me qëllim.
Këtë herë, PDK ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 11-V-007, të 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Dorëzimi i kësaj kërkese vjen një ditë pasi PDK dorëzoi në Kushtetuese lëndën që lidhet me procesin e konstituimit të Kuvendit.
PDK kërkon që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë nëse procedura dhe vendimi për zgjedhjen e Qeverisë janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke argumentuar se çdo institucion i ri duhet të ketë një bazë të pakontestueshme kushtetuese.
PDK kërkon me ngulm rikthimin në rendin kushtetues, jo në një rend të imponuar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke insistuar se institucionet e Republikës duhet të funksionojnë vetëm mbi bazën e Kushtetutës dhe jo të vullnetit politik të një partie.