Çështja e presidentit duket se nuk do marr fund, të paktën për një periudhë të afatshkurtër.
Pas shumë takimeve mes LDK-së e LVV-së, emri që doli për pozitën e presidentit ishte Bekim Sejdiu, ish-diplomat e gjyqtar i Kushtetueses. Por, tërheqja e tij nga kandidimi për këtë pozitë ka kthyer këtë çështje në pikën zero.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është deklaruar rreth kësaj çështje, ndërkohë që shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci ka shprehur keqardhje për këtë.
“Sa i përket çështjeve të tjera, si Lëvizje, në raport me tërheqjen e profesor Bekim Sejdiut prej postit, kemi pasur një deklaratë publike, një qëndrim. E dini është vërtet për të ardhur keq që personalitete të shquara, të cilat janë në gjendje të japin kontributin e tyre për vendin, t’ju pamundësohet një gjë e tillë përtej inateve kryesisht partiake apo të grupeve të ndryshme të interesit. Si Lëvizje, natyrisht se jemi tejet të interesuar që sa më parë të kemi edhe pozitën e presidentit me një president/presidente që do të kryejë këtë detyrë dhe natyrisht çfarë është në mandatin tonë do të vazhdojmë ta bëjmë”, u shpreh Nagavci.
Keqardhje për këtë situatë dje ka shprehur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, por sot ai nuk foli pas disa takimeve që pati në selinë e partisë së tij.
Ndërkohë, deputetja e LDK-së tha se ende nuk ka bisedime për emra të ri, por që duhet të gjithë partitë të kontribuojnë për këtë çështje.
“Ju e dini që prej fillimit LDK ka kontribu dhe ka dhënë gjithçka për me pas zgjidhje për institucionet, ose e ka pasur ose s’e ka pasur interesin e saj, domethënë interesi jonë si parti politike s’ka qenë i rëndësishëm në këtë rrugëtim, është tepër e rëndësishme që institucionet të bëhen, të konstituohen sa më parë edhe këtë e kemi pasur prioritet. Normalisht që do të kontribuojmë për çfarëdo dialogu që i jep Kosovës një zgjidhje institucionale”, u shpreh deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku.
Në partinë më të madhe opozitare, PDK, thanë se kanë qenë të bindur që nga fillimi që Vetëvendosje nuk e ka pas ndërmend të zgjedh president Sejdiun dhe kjo ka qenë lojë politike e Albin Kurtit.
Kjo parti nuk kishte pranuar të takohet me Kurtin për këtë çështje, ndërkohë që marrëveshjen e arritur mes LDK-së e LVV-së, e kishin kundërshtuar 6 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Mungesa e përkrahjes ka qenë pikërisht arsyetimi kryesor i Bekim Sejdiut për tërheqjen e tij nga kandidimi.