Trupi gjykues në Gjykatën Speciale ka konstatuar se të paktën 385 persona janë privuar arbitrarisht nga liria nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjatë periudhës nga prilli 1998 deri në qershor 1999.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gjykata ka thënë se këta persona ishin ndaluar në disa qendra të kontrolluara nga UÇK-ja.
“Sa i përket pikës ‘Arrestim ose ndalim i paligjshëm ose arbitrar’, Trupi Gjykues ka konstatuar se midis prillit 1998 dhe qershorit 1999, së paku 385 personave iu hoq arbitrarisht liria nga anëtarë të UÇK-së në disa qendra ndalimi të kontrolluara nga UÇK-ja”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Sipas Smithit, personat ishin arrestuar nga anëtarë të UÇK-së dhe policia ushtarake, ndërsa ndaj tyre ishin ngritur pretendime se ishin “kolaboracionistë, spiunë dhe tradhtarë”.
“Nuk ka prova të besueshme se personat që ishin të ndaluar ishin kolaboracionistë, tradhtarë ose spiunë, ashtu siç kishte pretenduar UÇK-ja”, ka deklaruar Smith.
Ndërkohë, trupi gjykues ka thënë se incidentet që kanë ndodhur pas 20 qershorit 1999, për të cilat kishte akuza për krime lufte, nuk mund të cilësohen si krime lufte, sipas konstatimeve të gjykatës në këtë çështje.