Katër kërkesat e protestës: Ndryshimi i Ligjit për Specialen, shkarkimi i Gërvallës dhe mbështetje për mbrojtjen

Shfuqizimi ose ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, si dhe mbështetja e pakufizuar dhe fonde për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së janë ndër kërkesat e paraqitura në protestën gjithëpopullore që u zhvillua në Prishtinë.

Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Mijëra qytetarë janë mbledhur të premten në sheshet e kryeqytetit në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me moton “Në mbrojtje të UÇK-së”.

Protesta zhvillohet dy ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë më 16 shtator për akuza për krime lufte. Ata i kanë mohuar akuzat dhe kanë bërë të ditur se do ta apelojnë aktgjykimin e shkallës së parë.

Në protestë janë dëgjuar brohoritje “UÇK”, ndërsa qytetarët kanë mbajtur pankarta me mesazhe kundër vendimit të Dhomave të Specializuara.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë fjalimit tha se “të gjithë jemi UÇK”, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Speciales.

“Sot jemi tubuar këtu për ta ngritur zërin kundër një padrejtësie të madhe. Ne sot kërkojmë që këtë vendim Gjykata Speciale ta shfuqizojë dhe ta marrë parasysh këtë popull që është ngritur”, tha Gucati.

Protestës i janë bashkuar edhe përfaqësues politikë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka marrë pjesë së bashku me deputetë të kësaj partie dhe ish-kryetarin Memli Krasniqi.

Në protestë ka marrë pjesë edhe kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, së bashku me deputetë të kësaj partie.

Protestës i është bashkuar edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili është parë pranë Bedri Hamzës dhe Memli Krasniqit.

Gjatë protestës ka folur edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Arientin Abdyli, i cili tha se shqiptarët janë mbledhur për të ngritur zërin kundër asaj që ai e cilësoi si padrejtësi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

“Luftën tonë e bëmë pa maska, pa marre dhe të drejtë. Sot jemi mbledhur këtu jo vetëm për të ngritur zërin, për padrejtësinë kundër katër komandantëve tanë, por për të mbrojtur një të vërtetë e cila nuk thyhet assesi me asnjë vendim”, tha Abdyli.

Ai i cilësoi Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin si “shënuesit e lirisë sonë” dhe “simbolet e një populli që refuzoi të nënshtrohet”.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika