Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, njëherish edhe kryetar i Mitrovicës ka reaguar pas protestës së mbajtur të premten në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Peci ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe mbetet e të gjithë kombit shqiptar, duke e cilësuar atë si simbol dhe vlerë të këtij populli.
Ai ka theksuar se protesta është e drejtë e garantuar në demokraci dhe se si e tillë respektohet, por ka kundërshtuar, siç ka thënë, çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla.
“Në emër të Partisë Guxo dhe si Kryetar i saj, më duhet të them dy fjalë pas protestës së sotme.
UÇK ka qenë dhe mbetet e krejt kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet simbol e vlerë e këtij populli dhe kështu do të mbetet përjetësisht.
Protesta është shenjë civilizimi dhe e drejtë e garantuar në demokraci. Si të tillë, ne e respektojmë. Mirëpo, çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e Donika Jusuf Gërvallës me anën e manifestimeve të tilla, do të merr kundërshtimin tonë me të ashpër.
Në historinë tonë të gjatë të sakrificës për liri, familja e saj dhe vetë Donika Gërvalla paraqesin një kapitull të rëndësishëm dhe të ndritshëm (njëra nga Brigadat e UÇK-së është quajtur “Jusuf Gërvalla”) dhe është udhërrëfyes e manual se si jetohet e vdiset për atdhe.
Këtë nuk e harrojmë dhe këtë nuk GUXOjmë ta harrojmë!
Prandaj, stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës”, ka shkruar Peci.
