Grenlanda dhe Danimarka kanë deklaruar të shtunën se çdo marrëveshje e ardhshme me Shtetet e Bashkuara nuk do të cenojë sovranitetin e ishullit, pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se marrëveshja do t’i jepte Washingtonit “kontroll të përhershëm” mbi sigurinë e Grenlandës.
Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Grenlanda njoftuan të premten vonë se kanë arritur një marrëveshje që i hap rrugë pranisë së konsiderueshme ushtarake amerikane në Grenlandë, ndërsa parashikon ndalimin e rivalëve të SHBA-së për të ndërtuar baza ushtarake në ishull, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Megjithatë, detajet kryesore të marrëveshjes nuk janë bërë publike. Nuk dihet ende përmasat e pranisë ushtarake amerikane dhe nëse Washingtonit do t’i jepet ndonjë kompetencë formale mbi politikën e jashtme apo burimet natyrore të territorit autonom danez.
Danimarka dhe Grenlanda kanë shprehur shpresën se marrëveshja, e cila pritet të nënshkruhet gjatë javës së ardhshme në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do t’i japë fund muajve të pasigurisë të shkaktuar nga kërcënimet e Trumpit për marrjen e kontrollit mbi Grenlandën.
“Java e ardhshme mund të jetë një javë e mirë – për Grenlandën, Danimarkën dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, në një deklaratë të publikuar të shtunën në Facebook.
Deklaratat e Danimarkës dhe Grenlandës vijnë pasi Trump e përshkroi marrëveshjen si një marrëveshje që do t’i jepte SHBA-së “kontroll të përhershëm” mbi sigurinë e Grenlandës, duke lënë të paqartë se çfarë nënkupton konkretisht kjo në aspektin ushtarak dhe politik.