Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon angazhimet për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar për sonte në sheshin qendror të Prishtinës, në kundërshtim të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Policia ka thënë se pas protestave të qeta të ditëve të fundit, disa pjesëmarrës kanë vazhduar protestimet dhe lëvizjet me automjete nëpër rrugët e kryeqytetit, duke i cilësuar disa prej vozitjeve si të pakontrolluara dhe të rrezikshme.
Sipas Policisë, disa persona janë parë duke dalë ose qëndruar në dritaret dhe mbi automjete, duke rrezikuar veten, këmbësorët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Policia ka theksuar se veprimet e saj në terren kanë për qëllim parandalimin e vozitjeve të rrezikshme, mbrojtjen e jetës së këmbësorëve dhe garantimin e sigurisë në trafik.
Në këtë kontekst, Policia ka përgënjeshtruar pretendimet e shpërndara në rrjetet sociale se qytetarët po ndalohen, ndëshkohen ose po ushtrohet dhunë ndaj tyre për shkak se në veturat e tyre mbajnë flamuj të UÇK-së.
“Policia e Republikës së Kosovës nuk ka ndaluar, ndëshkuar, e as ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari, për shkak të simboleve historike kombëtare apo simboleve të UÇK-së, por për shkak të shkeljeve ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë thirrje që qytetarët dhe mediat të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara.
Protesta e paralajmëruar për sonte pritet të mbahet në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës.
