Dy goditje për CDU-në e Merzit: AfD-ja fiton në një land, e Majta në Berlin

AfD-ja ka fituar zgjedhjet në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore me 38.2% të votave, ndërsa SPD-ja ka marrë 35.5%. CDU-ja e kancelarit Friedrich Merz ka pësuar rezultat historikisht të dobët me 4.9%, duke mbetur jashtë parlamentit të landit. Në Berlin, Partia e Majtë ka dalë e para me rreth 25% të votave.

Liderët e AfD

Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka fituar zgjedhjet në landin gjerman Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, duke lënë pas Partinë Socialdemokrate (SPD), ndërsa Unioni Kristian Demokrat (CDU) i kancelarit Friedrich Merz ka dështuar të sigurojë ulëse në parlamentin e landit.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga komisioni zgjedhor, AfD-ja ka marrë 38.2 për qind të votave, ndërsa SPD-ja, e drejtuar në këtë land nga kryeministrja Manuela Schwesig, ka siguruar 35.5 për qind.

Në parlamentin e ri do të përfaqësohen edhe Partia e Majtë (Die Linke), me 6.5 për qind të votave, dhe të Gjelbrit, me 5.7 për qind.

AfD-ja do të ketë 32 ulëse, SPD-ja 29, ndërsa Die Linke dhe të Gjelbrit nga pesë ulëse secila.

Rezultati nënkupton se koalicioni i mëparshëm mes SPD-së dhe Die Linke nuk ka më shumicën parlamentare. Megjithatë, një koalicion i përbërë nga SPD-ja, Die Linke dhe të Gjelbrit do të mund të siguronte shumicën. Të tria partitë kanë përjashtuar bashkëpunimin me AfD-në.

Humbje të thellë ka pësuar CDU-ja e kancelarit Friedrich Merz, e cila ka marrë vetëm 4.9 për qind të votave dhe nuk ka arritur të hyjë në parlamentin e landit. Ky është rezultati më i dobët i partisë në një palë zgjedhje rajonale në Gjermani. Rekordi i mëparshëm negativ i CDU-së ishte 9 për qind, i shënuar në Bremen në vitin 1951.

Edhe Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) ka mbetur jashtë parlamentit, pasi ka marrë 4.8 për qind të votave, duke mos e kaluar pragun prej 5 për qind. Partia Demokratike e Lirë (FDP) ka siguruar vetëm 1 për qind.

Pas publikimit të rezultateve, kancelari Friedrich Merz e ka cilësuar rezultatin në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore si “katastrofë”, ndërsa ka mbajtur një qëndrim sfidues lidhur me të ardhmen e tij politike dhe reformat në Gjermani.

“Ne nuk mund t’i zbukurojmë rezultatet në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore – ishte një katastrofë”, ka deklaruar Merz.

Ndërkohë, bashkëkryetari i AfD-së, Tino Chrupalla, ka thënë se partia e tij ka marrë një mandat të qartë për të qeverisur landin dhe ka paralajmëruar se do t’u ofrojë partive të tjera bisedime për koalicion. Ai ka kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kancelarit Merz.

Zgjedhjet në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe në Berlin janë parë si një test i rëndësishëm për qeverisjen e Merzit, në një kohë kur mbështetja ndaj tij është në nivele të ulëta.

Në Berlin, Partia e Majtë ka dalë e para, me rreth 25 për qind të votave, duke lënë pas CDU-në. Megjithatë, partitë më të vogla që ndodhen pranë pragut zgjedhor prej 5 për qind mund të ndikojnë në ndarjen përfundimtare të ulëseve dhe në formimin e koalicioneve.

Për herë të parë, në zgjedhjet në të dy landet kanë pasur të drejtë vote edhe të rinjtë 16- dhe 17-vjeçarë.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika