Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka reaguar për vendimin e Amir Rrahmanit për të mos qenë pjesë e Përfaqësueses në rrethanat aktuale, duke thënë se një vendim i tillë nuk mund të arsyetohet.
Shala e ka falënderuar ish-kapitenin për kontributin e dhënë ndër vite, por ka theksuar se kjo nuk e arsyeton vendimin e tij.
“Në emër të FFK-së e falënderoj Amir Rrahmanin për gjithë kontributin. Pavarësisht se sa i papranueshëm është vendimi i tij, kjo nuk e fshin kontributin e tij. Megjithatë, as periudha dhe kontributi nuk e arsyetojnë vendimin e tij”, ka thënë Shala.
Ai ka treguar se ka qenë në kontakt me Rrahmanin dhe se është përpjekur t’i adresojë vërejtjet e tij.
“Isha në kontakt me Amirin për kohë të gjatë. Jam munduar t’i adresoj vërejtjet e tij. I kemi ofruar që të shkojmë në Napoli dhe të flasim. Nuk ishte i gatshëm. Arsyet nuk i di. A ishte i ndikuar nga dikush tjetër, nuk e di”, deklaroi ai.
Shala shtoi se pjesëmarrja në Kombëtare nuk mund të kushtëzohet me ndryshime në drejtimin e saj, ndërsa tha se për FFK-në diskutimi për rastin e Rrahmanit tashmë konsiderohet i mbyllur.
“Ne e mbyllim diskutimin për rastin e Amirit. I kemi 27 futbollistë që meritojnë vëmendjen tonë”, përfundoi Shala.