Serbia po vazhdon të injorojë kërkesat ndërkombëtare kur bëhet fjalë për persona që autoritetet serbe kanë marrë në mbrojtje. Kësaj radhe, Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk u është përgjigjur kërkesave të shumta të përfaqësuesve të Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual në Hagë lidhur me statusin e procedurës gjyqësore ndaj liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, dhe katër bashkëpunëtorëve të tij.
Kjo bëhet e ditur në raportin e 12-të të monitorimit të rastit, të publikuar më 21 shtator, i cili mbulon periudhën nga 21 korriku deri më 18 shtator.
Monitoruesja e rastit, Dagmara Albreht, ka thënë se që nga publikimi i raportit të 11-të nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, pavarësisht kërkesave të përsëritura për informacion.
Sipas saj, më 9 shtator ajo iu drejtua sërish ndihmësministrit në Sektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Planifikim Strategjik, duke kërkuar informacione për statusin e lëndës dhe duke propozuar edhe një takim përmes videolidhjes.
Kërkesa u përsërit më 16 shtator, por deri në dorëzimin e raportit nuk kishte ardhur asnjë përgjigje.
“Bazuar në informacionet që kam marrë më herët, lënda ‘Sheshel dhe të tjerët’ ende pret një opinion paraprak nga Ministria e Drejtësisë”, thuhet në raport.
Mekanizmi në Hagë ia kishte kaluar në prill të vitit 2024 autoriteteve të Serbisë rastin ndaj Sheshelit dhe katër bashkëpunëtorëve të tij.
Shesheli, i dënuar nga Tribunali i Hagës për nxitjen e përndjekjes së popullsisë kroate nga Vojvodina, së bashku me katër anëtarë të Partisë Radikale Serbe – Ljiljana Mihajloviq, Ognjen Mihajloviq, Miroljub Ignjatoviq dhe Miljan Damnjanoviq – akuzohen për shpërfillje të gjykatës, përkatësisht për shkelje të rregullave lidhur me mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve dhe dokumenteve konfidenciale.
Në vitin 2018, Shesheli u dënua në Hagë me 10 vjet burgim për krime lufte ndaj popullsisë kroate në fshatin Hrtkovci të Vojvodinës. Ai ka pranuar publikisht se në 56 libra ka publikuar dokumente nga procesi i tij në Hagë, përfshirë deklarata të dëshmitarëve të mbrojtur.
Gjykatësi i Mekanizmit, Liu Dakun, në vendimin e 29 shkurtit 2024 kishte argumentuar se transferimi i rastit në Serbi ishte bërë “në interes të efikasitetit”. Sipas vendimit, veprat për të cilat akuzohen të pandehurit ishin kryer në territorin e Serbisë, ndërsa të akuzuarit jetojnë në Serbi dhe kishin deklaruar se ishin të gatshëm të përballeshin me procedurën atje.
Ndërkohë, një tjetër rast vazhdon të mbetet i bllokuar. Mekanizmi i Hagës prej më shumë se një dekade kërkon ekstradimin e dy anëtarëve të Partisë Radikale Serbe, Vjerica Radeta dhe Petar Jojiq, në një procedurë të veçantë për shpërfillje të gjykatës.
Serbia refuzon ekstradimin e tyre, duke argumentuar se për një veprim të tillë “nuk ka bazë ligjore”, pasi ligji serb për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës parashikon ekstradimin e personave të akuzuar për krime lufte, por jo të atyre që akuzohen për shpërfillje të gjykatës.
Ndërkohë, Partia Radikale Serbe e Sheshelit ka garuar në listë të përbashkët me partinë në pushtet, Partinë Përparimtare Serbe, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit. Në mesin e kandidatëve për deputetë është edhe Vjerica Radeta. /REL