Disa sondazhe të publikuara muajt e fundit nga CRTA kanë treguar luhatje të ndjeshme në mbështetjen për regjimin e Aleksandar Vuçiçit dhe për listën studentore, duke reflektuar një garë të hapur para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Në sondazhin e CRTA-s dhe Democracy Action Lab të Stanfordit, të zhvilluar në qershor, lista studentore merrte 44.9 për qind të mbështetjes mes votuesve të përcaktuar, ndërsa SNS-ja e Vuçiçit 35.7 për qind.
Një tjetër model i BIRODI-t e nxirrte listën studentore në 48.5%, ndërsa SNS-në në 38.6%.
Ndërkohë, matje të tjera kanë dhënë rezultate dukshëm të ndryshme, duke treguar se mbështetja për dy kampet kryesore ndryshon sipas institutit dhe periudhës së matjes. Kjo e bën më të vështirë krijimin e një tabloje të vetme për garën elektorale.
Në këtë klimë, lëvizja studentore që për gati dy vite ka udhëhequr protestat masive kundër qeverisjes së Vuçiçit ka hyrë zyrtarisht në garën politike. Lista “Studentët fitojnë”, e cila është certifikuar nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve, përmban 250 kandidatë dhe në krye ka kardiologun dhe profesorin universitar Ilija Srdanović. Lista është certifikuar me 69.099 nënshkrime të vlefshme mbështetjeje.
Pjesë e listës janë kryesisht akademikë, profesionistë, aktorë dhe figura publike, duke shmangur profilin tradicional të partive politike. Hyrja e studentëve në garën elektorale vjen pas muajsh protestash që nisën pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Sipas CRTA-s, mbështetja për protestat ka qëndruar rreth 60 për qind edhe pas një viti e gjysmë, ndërsa 62 për qind e të anketuarve kanë shprehur shqetësim për përdorimin e forcës policore ndaj protestuesve.
Kujtojmë se protestat nisën pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona, dhe u shndërruan në një nga sfidat më të mëdha politike ndaj Vuçiçit që prej ardhjes së SNS-së në pushtet. Programi i lëvizjes studentore, i titulluar “Drejtësi. Dije. Zhvillim”, kërkon reforma institucionale, drejtësi të pavarur, transparencë në prokurimet publike dhe më shumë liri për median. Ndërkohë, Vuçiç ka njoftuar se do të largohet nga posti i presidentit më 27 shtator për të garuar për postin e kryeministrit në zgjedhjet e 25 tetorit. /Shqiptarja