Fadil Pushkolli, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka bërë të ditur se është arrestuar në pikën kufitare Bllacë–Elez Han, në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas Pushkollit, arrestimi është bërë në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet serbe.
Në një njoftim të tij, Pushkolli ka deklaruar se është informuar se arrestimi lidhet me të kaluarën e tij si pjesëtar i UÇK-së.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se jam arrestuar në pikën kufitare Bllacë–Elez Han, në territorin e Maqedonisë së Veriut, bazuar në një urdhër të lëshuar nga autoritetet serbe”, ka thënë ai.
Pushkolli u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin menjëherë masat e nevojshme për trajtimin e rastit dhe mbrojtjen e të drejtave të tij.
Ky nuk është rasti i parë kur ish-pjesëtarë të UÇK-së arrestohen jashtë Kosovës në bazë të urdhërarresteve të lëshuara nga Serbia.
Para dy vjetësh, ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, ishte arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhërarrest të Serbisë. Ai ishte liruar më pas me kusht.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme është liruar edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Bajrami Bajrami, i cili ishte arrestuar muajin e kaluar në Kroaci, po ashtu në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet serbe.
