Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e rinj pas konfirmimit të Qeverisë së Kosovës.
Përmes një postimi, Hargreaves e ka cilësuar formimin e Qeverisë si një hap të rëndësishëm pas ngërçit të zgjatur politik në vend.
“Përgëzoj përzemërsisht kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tij për konfirmimin e tyre si Qeveria e re e Kosovës”, ka shkruar Hargreaves.
Ambasadori britanik ka thënë se pas përplasjes së gjatë politike, funksionalizimi i Qeverisë përbën një hap drejt institucioneve më stabile dhe efektive.
“Pas ngërçit të zgjatur politik, ky është një hap i rëndësishëm drejt institucioneve stabile dhe efektive që mund t’u shërbejnë qytetarëve të Kosovës. Mbretëria e Bashkuar pret të punojë ngushtë me Qeverinë në muajt në vijim”, ka deklaruar ai.
Hargreaves ka bërë thirrje edhe për bashkëpunim ndërmjet partive politike për zgjedhjen e Presidentit para 6 tetorit.
“Shpresoj që të gjitha partitë politike tani të tregojnë frymë përgjegjësie dhe bashkëpunimi duke punuar së bashku për të zgjedhur një President para 6 tetorit, duke e ndihmuar Kosovën të përmbushë reformat, mundësitë dhe sfidat që e presin”, ka shkruar ambasadori britanik.
Ai ka ritheksuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet partnere e Kosovës, duke përmendur fushat në të cilat dy vendet synojnë të bashkëpunojnë.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet mik dhe partner i palëkundur i Kosovës, duke punuar së bashku për interesat tona të përbashkëta në demokraci dhe sundim të ligjit, mundësi ekonomike, siguri rajonale dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka thënë Hargreaves.
