Tre vjet nga rënia e heroit Afrim Bunjaku, vendoset gurthemeli i obeliskut në Banjskë

Sot, më 24 shtator bëhen tre vjet nga vrasja në krye të detyrës e rreshterit të Policisë së Kosovës heroit, Afrim Bunjaku, gjatë sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Në shënim të trevjetorit të rënies së tij, Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të zhvillojnë gjatë ditës një sërë aktivitetesh përkujtimore.

Aktivitetet do të nisin në orën 10:00 me një vizitë te familja e Afrim Bunjakut në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.

Në orën 10:40 do të zhvillohen homazhe te varri i tij, po në Samadrexhë.

Më pas, në orën 12:00, në fshatin Banjskë të Zveçanit, do të vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar Afrim Bunjakut.

Programi përkujtimor do të përmbyllet në orën 20:00 me Akademinë Përkujtimore, e cila do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023, gjatë një sulmi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Në përleshjen mes policisë dhe grupit të armatosur u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit sulmues.

Për sulmin në Banjskë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti më 11 shtator 2024 aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin. Sipas aktakuzës, të dyshuarit akuzohen për vepra që lidhen me terrorizmin, rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.

Më 24 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Tolliqin, ndërsa Dushan Maksimoviqi u dënua me 30 vjet burgim për rastin e Banjskës. Vendimi është i shkallës së parë.

Në shpalljen e aktgjykimit ishte i pranishëm vetëm Maksimoviqi, ndërsa Spasojeviqi dhe Tolliqi nuk ishin në sallën e gjyqit. Për pjesën tjetër të të akuzuarve, përfshirë Milan Radoiçiqin, procedura mbetet e papërfunduar.

Radoiçiq, i cili është në mesin e 45 personave të akuzuar për rastin e Banjskës, ndodhet në Serbi. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar që ai dhe të dyshuarit e tjerë që ndodhen jashtë vendit të përballen me drejtësinë në Kosovë.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika