Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka mohuar se e njeh Ilija Srdanoviqin, bartësin e listës “Lista Studentore – Studentët fitojnë” në Serbi. Reagimi vjen pas pretendimeve se Srdanoviqi ka qenë mjeku i tij personal dhe se Gjukanoviq po mbështet listën për të ndryshuar pushtetin në Serbi.
Në një deklaratë për gazetën malazeze Pobjeda, Gjukanoviq tha se ka shumë miq në Serbi, përfshirë mjekë, por Srdanoviqi nuk është mes tyre. Ai shtoi se nuk ka pasur rast ta takojë.
Gjukanoviq i cilësoi pretendimet si trillime të lidhura me fushatën zgjedhore në Serbi. Ai tha se Srdanoviqi po e përballon me dinjitet fushatën kundër tij dhe shprehu shqetësimin për atmosferën armiqësore ndaj malazezëve në Serbi.
Akuzat u përsëritën edhe nga kryetari i Partisë Popullore Demokratike të Malit të Zi, Millan Knezheviq, i cili gjatë një tubimi të Partisë Përparimtare Serbe në Beograd e quajti Srdanoviqin “kandidat të DPS-së”. Knezheviq pretendoi gjithashtu se Gjukanoviq synon t’i kundërvihet presidentit serb Aleksandar Vuçiq për shkak të ndryshimit të pushtetit në Mal të Zi në vitin 2020.
Gjukanoviq i hodhi poshtë si lidhjen personale me Srdanoviqin, ashtu edhe pretendimin se qëndron politikisht pas Listës Studentore.