Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve në fshatin Isniq të Deçanit.
Operacioni është zhvilluar mëngjesin e së hënës nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësiti Antidrogë në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Gjatë kontrollit, janë sekuestruar shtatë bimë narkotike të kultivuara, 28.6 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike.
Të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se mbetet e angazhuar në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme që lidhen me narkotikët.