Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën u mbajt seanca fillestare e gjykimit në mungesë ndaj 21 të akuzuarve lidhur me dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Prokurori special, Atdhe Dema lexoi aktakuzën që i ngarkon 21 të akuzuarit për krime lufte kundër popullatës civile, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurori Dema tha se meqenëse janë prezente mediat dhe bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndësishme, e sheh të nevojshme që të lexojë aktakuzën dhe të njoftohet publiku me këtë aktakuzë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori, gjykatësja Medie Bytyqi tha se meqenëse është gjykim në mungesë dhe të akuzuarit nuk mund të deklarohen, njofton mbrojtësit e të akuzuarve se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Gjobitet me 1 mijë euro avokatja që u vonua një orë në seancën fillestare për dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë vitit 1999
Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka nisur me mbi një orë vonesë seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve lidhur me dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë më 1999. Ky gjykim po zhvillohet në mungesë.
Seanca filloi me vonesë për shkak të vonesës së avokates së të akuzuarit Millosh Doshan, e caktuar sipas detyrës zyrtare- Albana Zogiani, e cila për këtë vonesë u gjobit me 1 mijë euro.
Në këtë rast, të akuzuar janë: Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavljeviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Krsman Jeliq, Ljubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Millosh Doshan, Ljubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Millovan Kovaçeviq, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Seanca filloi me një orë vonesë për shkak të vonesës së avokates Albana Zogiani.
Gjykatësja Medie Bytyqi tha se avokatja ishte e njoftuar për seancën e sotme përmes procesverbalit të seancës së kaluar, po ashtu edhe përmes telefonit javën e kaluar.
Andaj, për shkak të vonesës në seancë, Zogiani u gjobit me 1 mijë euro, me arsyetimin se ishte njoftuar me kohë për seancën e sotme e cila ishte caktuar për në orën 9:30, por u vonua mbi një orë.
Pasi u gjobit, avokatja Zogiani tha se vonesa e saj nuk ishte e qëllimshme dhe nuk kishte për qëllim zvarritjen e procedurës. Mirëpo, tha se kishte menduar që seanca është caktuar për nesër, edhe pse e kishte pranuar përmes e-mailit procesverbalin e seancës së kaluar.
Andaj, avokatja kërkoi falje dhe propozoi që Gjykata t’i shqiptojë vetëm vërejtje për sot, duke theksuar se në seancën e kaluar kishte vonesë nga dy avokatë tjerë, por atyre nuk u ishte shqiptuar gjobë.
Ndryshe, seanca e 15 shtatorit 2026 u ndërpre shkaku i mospajisjes së disa avokatëve me shkresa të lëndës me kohë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 gusht 2025 ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave lidhur me dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë më 1999.