Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka folur për përmbajtjen e ligjit që synon ndryshime lidhur me proceset e zhvilluara në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Duke folur në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit, Rrahmani ka deklaruar se një nga synimet kryesore të ligjit është që, në rast se Gjykata e Apelit e rikthen çështjen në rigjykim, lëndët të mund të procedohen në gjykatat e rregullta në Kosovë.
“Ajo që synohet me këtë ligj, fillimisht, në qoftë se Gjykata e Apelit vazhdon me qasjen e njëjtë të padrejtësisë që ka vepruar në shkallën e parë, në qoftë se e rikthen në rigjykim, në shkallën tjetër t’u kthehen këto lëndë gjykatave në Kosovë. Ankesat e të dënuarve të bëhen dhe të kenë të drejtë që ky rast të bëhet tek Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, gjykata të rregullta”, ka deklaruar Rrahmani.
Sipas tij, ligji parasheh edhe ndryshime sa i përket kompetencave për faljen e të dënuarve.
“Pika tjetër është që, pas asaj, të ketë të drejtën Gjykata Kushtetuese. Faljen e të dënuarve nga ky proces ta ketë të drejtën presidenti i vendit dhe jo përfaqësuesi që është në Gjykatën Speciale, siç është për momentin me Ligjin për Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.
Rrahmani ka përmendur edhe kufizimin e dënimeve në këto procese.
“Që të mos ketë dënime mbi 15 vite në këto procese”, është shprehur deputeti i PDK-së.
Ai këto deklarata i bëri në “Five” të RTV Dukagjinit, në kuadër të diskutimit për ligjin dhe zhvillimet pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.