Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, po merr pjesë në sesionin vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), që po mbahet në Strasburg nga 28 shtatori deri më 2 tetor 2026. Gjatë fjalimit të tij në këtë sesion, Gola ka folur për zhvillimet në Kosovë, proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe dënimet e fundit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gola tha se, sipas tij, pretendimet qendrore të raportit të Dick Martyt nuk janë vërtetuar, duke përmendur në veçanti akuzat për krime kundër njerëzimit, trafikim organesh dhe të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”.
“Sa u përket dënimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të përmendura në raport, duhet theksuar se pretendimet qendrore të raportit të Dick Martyt nuk janë vërtetuar. Nuk pati krime kundër njerëzimit, nuk pati trafikim organesh dhe nuk pati ‘Shtëpi të Verdhë’”, tha Gola.
Gola ka thënë se beson që Apeli do t’i rrëzojë gjithë akuzat, nëse zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
“Sa u përket dënimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të përmendura në raport, duhet theksuar se pretendimet qendrore të raportit të Dick Martyt nuk janë vërtetuar. Nuk pati krime kundër njerëzimit, nuk pati trafikim organesh dhe nuk pati “Shtëpi të Verdhë”.
Sa u përket akuzave të mbetura, ne besojmë fuqishëm se Paneli i Apelit do t’i rrëzojë ato, nëse i zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë, dhe udhëheqësit e UÇK-së do të jenë të lirë”, ka thënë Gola.
“UÇK-ja u shfaq si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes dhe zhvilloi një luftë të drejtë për ta çliruar popullin e Kosovës nga Serbia diktatoriale e Milosheviqit, e cila ishte vetë burimi i terrorit dhe i luftërave të përgjakshme në mbarë ish-Jugosllavinë. Evropa duhet të mbetet vigjilente dhe të mos lejojë që barbaria e viteve ’90 të përsëritet, duke lejuar shtrembërimin dhe përmbysjen e të vërtetave historike.”
Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi më 16 shtator u dënuan me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Kadri Veseli me 18 vjet e Rexhep Selimi me 13 vjet.
Gola ka shtuar se derisa në Kosovë po gjenden mbetje mortore dhe varreza masive, Serbia po vazhdon t’i glorifikojë kriminelët e luftës të dënuar për gjenocid, t’i strehojë terroristët dhe të përdorë retorikë luftnxitëse.
“Ajo Serbi që vazhdon ta ruajë një vazhdimësi ideologjike me të kaluarën e saj të palavdishme dhe të errët. Ndërkohë që edhe sot në Kosovë vazhdojnë të zbulohen mbetje mortore dhe varreza masive si pasojë e krimeve të kryera nga Serbia, Serbia vazhdon të glorifikojë kriminelë të dënuar për gjenocid, të strehojë terroristë dhe të përdorë retorikë luftënxitëse, përfshirë thirrje për spastrimin etnik të Kosovës”, deklaroi Gola në fjalimin e tij.
Gola ka folur edhe për ngërçin politik në Kosovë. Ka thënë se Kosova po përballet me krizë politikë lidhur me zgjedhjen e presidentit.
“Është e pamohueshme se Kosova po përballet me një krizë politike lidhur me zgjedhjen e presidentit. Kjo duhet parë në kontekstin e disa anomalive kushtetuese, disa prej të cilave burojnë edhe nga Pakoja e Ahtisaarit. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme është se dialogu politik vazhdon të zhvillohet brenda konturave demokratike, ku dhuna nuk gjen vend”, ka thënë Gola.
Në fund, ai ka bërë thirrje për vigjilencë ndaj zhvillimeve në rajon dhe ruajtjen e, siç e ka quajtur ai, të vërtetës historike.
“Evropa duhet të mbetet vigjilente dhe të mos lejojë që barbaria e viteve ’90 të përsëritet, duke lejuar shtrembërimin dhe përmbysjen e të vërtetave historike”, ka përfunduar Gola.
Ndryshe, në agjendën e sesionit janë edhe çështjet që lidhen me mbështetjen për Ukrainën, rolin e diasporës dhe emigrantëve në kohezionin social dhe angazhimin demokratik, si dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në të ardhmen e punës.
Gola do të marrë pjesë në seancat plenare të Asamblesë, në mbledhjet e Grupit Socialist dhe në takimet e komisioneve përkatëse të APKE-së.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, sipas Kuvendit, ai pritet të zhvillojë edhe takime me deputetë dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Europës, pavarësisht se procesi i saj i anëtarësimit ka kaluar disa nga etapat kryesore. Kosova synon të bëhet shteti i 47-të anëtar i kësaj organizate, e cila merret me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në KiE më 12.05. 2022, kur aplikacioni u dorëzua nga atëherë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.
Në prill 2023, Komiteti i Ministrave vendosi që kërkesa e Kosovës të procedohej për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Më 27.03.2024, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i APKE-së rekomandoi që Kosova të ftohej për anëtarësim. Raporti/opinioni i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, u miratua me 31 vota për dhe katër kundër.
Hapi i radhës u bë më 16.04.2024, kur APKE votoi në favor të opinionit që rekomandonte anëtarësimin e Kosovës.
