Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj do të ishin dënuar po të ishin gjykuar me standardet e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Duke folur në Debat Plus, Musliu-Shoshi ka thënë se të dy ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kishin përfunduar të dënuar nëse ndaj tyre do të zbatohej i njëjti standard gjykimi.
“Po të ishin gjykuar Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj me standardet e kësaj gjykate, të dy do të kishin qenë të dënuar, të dy”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.
Aktualisht, krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i shpalli të katër përgjegjës penalisht për krime lufte, përfshirë ndalimin ose arrestimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet.
Ndërkohë, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj janë gjykuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), por përfunduan të pafajshëm në proceset ndaj tyre.
Në rastin e Limajt, ICTY-ja e shpalli atë të pafajshëm në vitin 2005, ndërsa Dhoma e Apelit e konfirmoi pafajësinë e tij në vitin 2007.
Edhe Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm nga ICTY-ja. Pas rigjykimit, më 29 nëntor 2012, ai u shpall sërish i pafajshëm për të gjitha akuzat.