Kurti: Aktgjykimi i Hagës është i padrejtë dhe i pasaktë, në Apel duhet të adresohen mangësitë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të padrejtë juridikisht e moralisht, si dhe të pasaktë historikisht e faktikisht.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar dhe se pret që mangësitë dhe, siç i quajti ai, padrejtësitë e aktgjykimit të adresohen në procedurën e apelit.

“I cili është i padrejtë juridikisht e moralisht, e i pasaktë historikisht e faktikisht. Është e rëndësishme ta dallojmë atë që është thënë e pretenduar, nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në Apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka thënë Kurti.

Kryeministri foli edhe për takimet që ka zhvilluar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai tha se në këto takime është diskutuar për veprimet e përbashkëta lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit, si dhe për sfidat institucionale, politike dhe shtetërore që e presin Kosovën.

“Të diellën kam zhvilluar takime të ndara me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës përkatësisht me zotërinjtë Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku për të diskutuar lidhur me veprimet e përbashkëta në raport me aktgjykimin e padrejtë dhe të rëndë të 16 shtatorit, por edhe për sfidat të cilat na presin përpara në aspektin institucional, politik e shtetëror.”

Kurti e ka vlerësuar si hap të parë të përbashkët deklaratën e miratuar në Kuvend me 99 vota për lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas tij, kjo deklaratë, përtej efektit juridik, paraqet shprehje të vullnetit të qytetarëve përmes përfaqësuesve të tyre.

“Deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvendin e Republikës është hapi i parë i përbashkët që më shumë se sa që krijon efekt juridik, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij. Andaj mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar teksa thërras në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për këtë çështje të interesit shtetëror duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse sikurse edhe me ekspertë të fushës, ashtu që të mos gjendemi në situata ku vendimet tona do të mund të përdoreshin si rëndesë ose dëm në… dëm pra të kësaj të katërshes Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka thënë se Qeveria do të bëjë gjithçka që është në mundësinë e saj në procesin e apelit për kundërshtimin e aktgjykimit.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës do të bëjmë gjithçka që dimë e mundemi bashkë me kolegët nga qeveria dhe jo vetëm për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli e e drejta e tij. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive, spastrimit etnik e gjenocidit nga Serbia dhe ajo ishte bartëse e luftës së drejtë të popullit“, ka thënë Kurti.

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika