Trump paralajmëron ndalimin e eksporteve të diezelit, SHBA i kërkon Evropës të përdorë rezervat

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të nxjerrin nga rezervat e tyre një pjesë të sasisë së diezelit, ndërsa administrata amerikane po shqyrton mundësinë e ndalimit të eksporteve të këtij karburanti.

Deklarata e Trumpit vjen pasi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të përgatiten për të liruar menjëherë furnizime nga rezervat e tyre të diezelit. Sipas tij, fermerët, transportuesit dhe bizneset amerikane nuk duhet të mbajnë barrën e rritjes së çmimeve.

SHBA-ja ka paralajmëruar kufizimin e eksporteve të diezelit, në një kohë kur lufta në Iran ka shkaktuar rritje të fortë të çmimeve të karburanteve. Çmimet e karburantit janë kthyer gjithashtu në një çështje të rëndësishme politike në SHBA, përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, shkruan BBC.

I pyetur të enjten nëse do t’u kërkonte vendeve evropiane të përdornin rezervat e tyre të diezelit, Trump u përgjigj: “Mund ta bëjmë këtë. Ata kanë diezel.”

Më herët, Bessent kishte deklaruar në rrjetet sociale se vendet evropiane duhet t’i bëjnë “menjëherë të disponueshme” furnizimet shtesë.

Britania diskuton me Evropën

Në Britani janë zhvilluar bisedime me partnerët evropianë për një reagim të mundshëm ndaj ndalimit të eksporteve amerikane.

Ministri britanik i Energjisë, Martin McCluskey, mori pjesë të enjten në një telefonatë me homologët evropianë, ku u diskutua mundësia e koordinimit të rezervave të karburanteve.

Një burim i njohur me diskutimet tha se ishte e arsyeshme përgatitja e një reagimi të koordinuar me vendet e tjera, përfshirë ato të Bashkimit Evropian. Megjithatë, sipas tij, në Evropë ende ka rezerva të mbetura nga lirimi i koordinuar i rezervave strategjike të karburanteve që u bë më herët gjatë vitit.

Qeveria britanike ka thënë se nuk ka arsye për shqetësim lidhur me furnizimin me diezel, megjithëse ka paralajmëruar se çmimet mund të rriten më tej.

Britania është veçanërisht e varur nga importet. Më shumë se gjysma e diezelit të përdorur në vend importohet, ndërsa rreth 31 për qind e importeve vijnë nga SHBA-ja.

Ndalimi amerikan mund të ulë çmimet në SHBA, por t’i rrisë ato jashtë

Një ndalim i eksporteve amerikane do të sillte më shumë diezel në tregun e brendshëm amerikan dhe potencialisht do të ulte ndjeshëm çmimet për konsumatorët amerikanë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një masë e tillë mund të krijojë presion të mëtejshëm mbi çmimet ndërkombëtare të diezelit, nëse vendet e tjera nuk arrijnë të sigurojnë furnizime alternative.

SHBA-ja është një furnizues i rëndësishëm i diezelit në tregun global dhe eksporton rreth 1.2 deri në 1.5 milionë fuçi në ditë.

David Fyfe, kryeekonomist në Argus Media, ka paralajmëruar se ndërprerja e furnizimit amerikan mund të shkaktojë rritje të fortë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Në Britani, çmimi mesatar i diezelit ka arritur nivel rekord. Sipas të dhënave të RAC, çmimi është rritur në 199.79 pena për litër, nga 142.38 pena më parë.

Diezeli është më i vështirë për t’u rafinuar sesa benzina dhe përdoret gjerësisht në transportin e mallrave dhe bujqësi, duke e bërë të vështirë uljen e kërkesës.

Presionit në tregun global mund t’i shtohet edhe vendimi i rafinerive kineze për të pezulluar eksportet e disa produkteve të karburanteve në tetor, ndërsa Pekini po i jep përparësi furnizimit të tregut të brendshëm.

Rritja e çmimeve të naftës dhe derivateve është përshpejtuar pas përshkallëzimit të konfliktit në Iran dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kryesore për transportin global të naftës dhe gazit.

Ndërkohë, kufizimet e eksporteve nga Rusia, një tjetër furnizues i rëndësishëm i diezelit, kanë shtuar presionin mbi tregjet.

Në Britani, numri i automjeteve me naftë ka rënë gjatë vitit të fundit. Në fund të qershorit kishte rreth 15.1 milionë automjete me diezel në rrugët britanike, krahasuar me 15.7 milionë një vit më parë. Numri i veturave me diezel ra nga 10.4 në 9.8 milionë.

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika