Kuvendi miraton në lexim të parë ndryshimet për Specialen me 91 vota për

(E përditësuar) – Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në votim morën pjesë 91 deputetë, të cilët votuan pro projektligjit. Nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Në votim nuk mori pjesë Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.


Kurti: Ndryshimet janë të ngutshme, por do t’i mbështesim

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara është duke u bërë me nguti dhe pa kohë të mjaftueshme për analizë.

Kurti ka thënë se ende nuk është publikuar aktgjykimi në formën e tij të plotë dhe se, sipas tij, para se të ndërmerren hapa për ndryshimin e ligjit duhet të bëhet një analizë më e thellë juridike.

“Ne konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar themelimin e Speciales që nga fillimi, ndërsa tani po e mbështet nismën për ndryshimin e ligjit, duke theksuar se këtë e bën edhe për shkak të mbështetjes së saj nga ekipet mbrojtëse.

Kurti ka theksuar se rruga për të kundërshtuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është procesi i apelit.

“Adresa e fitores është apeli”, ka theksuar Kurti.


Haradinaj: AAK-ja do ta votojë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Aleanca do t’i votojë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Haradinaj ka deklaruar se anulimi i Dhomave të Specializuara “do të ishte përgjigjja e drejtë për fyerjen që na është bërë”, por theksoi se AAK-ja do ta mbështesë projektligjin që është sot në shqyrtim në Kuvend.

Ai kërkoi që projektligji të votohet sot edhe në lexim të dytë.

“Rrugëtimin tonë deri këtu e kemi bërë edhe me gabime, por fajin duhet ta gjejmë te vetja, sepse vetëm ne mbajmë përgjegjësi për fatin dhe të vërtetën tonë”, tha Haradinaj.


LDK-ja nuk e mbështet ndryshimin e Ligjit për Specialen

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se LDK-ja nuk do ta mbështesë nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ajo ka thënë se veprimet e njëanshme, pa koordinim dhe pa vlerësim të qartë të pasojave juridike, mund të rrezikojnë besueshmërinë e Kosovës dhe mbështetjen ndërkombëtare për vendin.

“Për këto arsye, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Lushaku-Sadriu ka theksuar se LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë për viktimat dhe ruajtjes së interesit shtetëror të Kosovës


Hamza: Nuk po kërkojmë mbylljen e Gjykatës Speciale

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kenë qëndrim unik në votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Duke folur në Kuvend, Hamza ka thënë se PDK-ja nuk kërkon që të pengohet drejtësia apo që krimet të mos hetohen, por ka kërkuar që procesi të bazohet në prova dhe fakte.

“Ne nuk po kërkojmë të mos ketë drejtësi apo të mos gjykohet krimi. Nuk po e mbyllim gjykatën. Po kërkojmë mbikëqyrje, po kërkojmë zbatim të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka theksuar se, sipas tij, vendimet duhet të merren vetëm mbi bazën e provave dhe fakteve, e jo mbi dëshmi të pakonfirmuara.

Hamza ka thënë gjithashtu se Kuvendi, si organi legjislativ dhe themelues i Dhomave të Specializuara, duhet të ketë mekanizma mbikëqyrës dhe llogaridhënie për punën e tyre.

Hamza ka përsëritur qëndrimin e tij se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për çlirimin e Kosovës dhe ka kundërshtuar përpjekjet për ta lidhur atë me veprimtari kriminale.


Nagavci: LVV-ja do ta votojë ndryshimin e Ligjit për Specialen, nëse e mbështesin edhe partitë që e krijuan atë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se VV-ja do ta mbështesë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ajo ka theksuar se nëse partitë që e mbështetën krijimin e Speciales në vitin 2015 sot kërkojnë ndryshimin e ligjit, LVV-ja do ta mbështesë nismën.

Nagavci ka thënë se, sipas saj, ndryshimi i ligjit nuk i liron ish-krerët e UÇK-së, nuk i përshpejton aktgjykimet dhe nuk e zëvendëson procesin e apelit.

Ajo ka thënë se VV-ja do ta mbështesë këtë nismë jo për shkak të ndryshimit të qëndrimit të saj, por me arsyetimin se një vendim që është konsideruar i gabuar nuk duhet të përdoret si arsye për të penguar korrigjimin e tij.

“Jo sepse kemi ndryshuar qëndrimin tonë, por sepse bindjen se një vendim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm nuk mund ta përdorim si arsye për të penguar korrigjimin e tij që ende mund të korrigjohet”, ka thënë ajo.

Nagavci ka kërkuar një strategji shtetërore për trajtimin e këtyre çështjeve, duke përfshirë angazhimin juridik dhe diplomatik.

“Apeli duhet të trajtohet me seriozitetin e një beteje të madhe juridike, me prova, argumente dhe dijen më të mirë që mund të vihet në shërbim të tij. Krahas kësaj, duhet një përpjekje e madhe diplomatike”, ka thënë ajo.


Gruda: Projektligji për Specialen nuk cenon marrëveshjen me BE-në dhe detyrimet ndërkombëtare

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë në Kuvendin e Kosovës se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk cenon detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë në lidhje me themelimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Gjatë prezantimit të Projektligjit në seancën e Kuvendit, Gruda ka theksuar se ndryshimet e propozuara nuk prekin amendamentin kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe as marrëveshjet ndërkombëtare të lidhura me këtë proces.

“Ky ligj nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë përmes amendamentit kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara, marrëveshjes që kemi me Bashkimin Evropian, letërkëmbimit të ratifikuar në Kuvend dhe as marrëveshjes që kemi me Holandën”, ka deklaruar Gruda.

Gruda ka theksuar se ndryshimet e propozuara nuk ia heqin Speciales të drejtën për të vazhduar punën, por synojnë t’ia kufizojnë një pjesë të juridiksionit, përfshirë atë që lidhet me krimet e luftës.

Gruda ka thënë se ndryshimet nuk nënkuptojnë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe se, sipas tij, nuk prekin marrëveshjen e ratifikuar me BE-në.

“Ne jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare. Ne e kemi përmbushur çdo premtim që kemi dhënë për të hetuar raportin e Dick Martyt, nuk po e ndryshojmë Kushtetutën, nuk po e prishim marrëveshjen me BE-në”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë gjithashtu se Projektligji parasheh mundësinë që, në rast se do të ketë një shkallë të tretë të gjykimit, ajo të zhvillohet në Kosovë.

Gruda, ka deklaruar se akuzat që, sipas tij, synojnë ta paraqesin UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale janë “re e zezë mbi Kosovën”.

“Nuk mund të lejojmë të komprometohet historia e Kosovës dhe lufta jonë çlirimtare”, ka theksuar ai.


Nis seanca për Projektligjin e Speciales

10:15 – Ka nisur seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në sallën e Kuvendit janë të pranishëm 101 deputetë.

Seanca ishte paraparë të niste në orën 09:00, por fillimi i saj u shty për më shumë se një orë.

Një orë vonesë, seanca nuk ka nisur ende

Shija e redaktorit

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Të fundit nga rubrika