Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie do të qëndrojnë në sallën plenare derisa të votohet në lexim të dytë Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme plenare, Çitaku u ka bërë thirrje edhe deputetëve të partive të tjera politike që të kthehen në sallë dhe të marrin pjesë në votim.
Ajo ka theksuar se çështja e miratimit të këtij ligji nuk duhet të lidhet me zgjedhjen e presidentit, duke i konsideruar ato dy çështje të ndara.
“I ftojmë të gjithë deputetët të kthehen në sallë dhe të votojnë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara. Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë të ndara. Votimi i ligjit është detyrim jo vetëm politik, por edhe kombëtar. Çështja e presidentit është çështje e marrëveshjes, janë totalisht të ndara”, tha Çitaku.
Ajo ka përsëritur se PDK-ja nuk do të largohet nga salla plenare derisa të përfundojë votimi i ligjit në lexim të dytë.