Tensionet mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës po vazhdojnë në disa pjesë të sheshit “Skënderbeu” dhe për rreth asaj zone.
Pas përshkallëzimit të situatës gjatë mbrëmjes, protestuesit janë shpërndarë në disa pjesë të sheshit dhe rrugëve përreth, ndërsa përballja me Policinë ka vazhduar.
Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës në disa raste, në përpjekje për t’i shpërndarë protestuesit dhe për të larguar turmat nga zona.
Më herët, protestuesit kishin hedhur mjete piroteknike në drejtim të objektit të Qeverisë dhe të pjesëtarëve të Policisë.
Pavarësisht ndërhyrjeve të Policisë, një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të qëndrojnë në zonën e sheshit “Skënderbeu”, ku prej 16 shtatorit po zhvillohen protesta të përnatshme.
Situata mbetet e tensionuar në disa pjesë të qendrës së Prishtinës.