Kryeministri, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit të Kosovës është çështje emergjente dhe ka bërë thirrje që të hiqet, siç tha ai, presioni mbi shtetin.
Kurti ka thënë se zgjedhja e Presidentit dhe çështja e katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë janë tema që i tejkalojnë partitë politike.
“Të dyja janë tema që i tejkalojnë partitë. Për katër të dënuarit, ne besojmë se duhet të ketë korrigjim në Apel, ndërsa, në anën tjetër, kemi nevojë për një strategji shtetërore e kombëtare”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, moszgjedhja e Presidentit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve, duke kufizuar njëkohësisht mundësinë e institucioneve për t’u marrë me strategjinë shtetërore dhe çështjen e Apelit.
“Moszgjedhja e Presidentit na çon drejtpërdrejt në zgjedhje. Por jo vetëm që na çon në zgjedhje, ajo na kufizon edhe mundësinë që të merremi me strategjinë shtetërore dhe me çështjen e Apelit”, tha Kurti.
Ai ka theksuar se çështja e Apelit duhet të trajtohet brenda këtij muaji dhe jo të shtyhet për vitin e ardhshëm.
“Nuk do të mund të merremi me çështjen e Apelit vitin e ardhshëm; duhet të merremi me të këtë muaj”, u shpreh ai.
Kurti ka paralajmëruar se, në mungesë të Presidentit, Kosova rrezikon të hyjë në një periudhë të gjatë zgjedhjesh dhe të mbetet pa institucione funksionale.
“Pa President, sot Kosova rrezikon të mbetet për muaj të tërë në zgjedhje dhe pa institucione funksionale. Prandaj, çështja e zgjedhjes së Presidentit është emergjente”, ka deklaruar Kurti.