Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka cilësuar jo serioze ofertën e re të kryeministrit Albin Kurti për zgjidhjen e ngërçit politik, duke akuzuar se çështja e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara po përdoret për të arritur qëllime politike.
Hamza u shpreh se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk duhet të shndërrohet në “pazar” politik për zgjedhjen e presidentit.
Në një konferencë për media pas asaj të Kurti, Hamza tha se kjo çështje nuk i takon vetëm PDK-së, pasi, sipas tij, lidhet me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, si dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kjo çka po shohim e dëgjojmë nuk është aspak serioze për vendin e temat për të cilat po bisedojmë – kjo temë po shndërrohet në pazare të minutave të fundit e kam thënë dhe po e ripërsëris çështja e ligjit për dhomat e specializuara nuk është temë e çështje që i takon veç PDK-së. Po flasim për historinë, të tashmen e të ardhmen e vendit tonë, po flasim për luftën e drejtë të popullit të Kosovës të zhvilluar përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po flasim për viktimat që janë të Kosovë. UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj është se si ta përdorim ligjin qëllimisht për shantazh për të mbërri qëllimin politik. Qëllimi poltik është që me pas një president politik dhe me përmbyll kapjen e institucioneve të shtetit”, u shpreh Hamza.
Hamza tha se ka marrë pjesë vazhdimisht në takime, por sipas tij, ndryshimet në qëndrimet e Kurtit nga një konferencë në tjetrën tregojnë mungesë serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje.
Ai tha se PDK-ja ia ka bërë të qartë Kurtit se fillimisht duhet të trajtohet dhe miratohet Ligji për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas mund të diskutohet për çështjen e presidentit.
“Unë vazhdimisht kam qenë në takim dhe sa seriozitet ka në këtë çështje e shohim se sa ndryshime ka nga konferenca në konferencë, në mesditë e kam informuar se për PDK-në duhet të jetë fillimisht ligji e pastaj mund të diskutojmë për çështjen e Presidentit. LDK-së i ka thënë se presidenti nuk duhet të jetë politik e vetë e propozon një të tillë – po për këta emra që janë propozuar nuk janë votu, e vendi ka shku në zgjedhje. Për të cilët s’ka pasur marrëveshje. Ligji duhet të kalojë, presidenti ka mund të zgjidhet por jo president pa marrëveshje. Jo ky është presidenti merre ose lëre. Pse s’ka qenë kjo lloj bisede në takimet e tjera, pse ska qenë sot paradite”, u shpreh Hamza.
Sipas Hamzës, çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk duhet të përdoret si mjet për arritjen e qëllimeve politike apo për kushtëzimin e votimit të presidentit.
Hamza, ka komentuar përmendjen e Feride Rushitit nga Kurti si një prej emrave të mundshëm për presidente, në kuadër të ofertës së Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës.
Hamza tha se Rushiti është kandidate politike dhe e konsideroi atë pjesë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Unë mendoj që, është. Nuk e di a ka librezë. Po, mendoj që është fort Vetëvendosje. Edhe nuk e di a e foli brezin. Është Vetëvendosje. A është në propozim bashkë me neve. Çdo propozim që e bëj unë, pa marrëveshje, është veç propozim i yni”, tha Hamza.
Ai theksoi se nuk dëshiron që çështja e zgjedhjes së presidentit të shndërrohet në pazare politike, duke përsëritur se PDK-ja ka emrat e saj për këtë pozitë.
“Shiko, prapë po e them: jemi në kohët e fundit, edhe nuk dëshiroj këto me shndërru në pazare politike këtë çështje kaq të rëndësishme. Po Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar, vazhdon me deklaruar, e thashë edhe në konferencën paraprake, që kemi emra të denjë që munden me kry punën e presidentit”, tha ai.
