Një 87-vjeçare në Spanjë, dëbimi i së cilës nga banesa nxiti protesta mbarëkombëtare për krizën e strehimit dhe përplasjes politike që çoi në zgjedhje të parakohshme, ka vdekur, njoftoi Unioni i Qiramarrësve të Madridit.
Maricarmen Abascal u nxor me forcë nga banesa e saj më 23 shtator, e shtrirë në barelë, pasi nuk kishte mundësi të përballonte rritjen e qirasë. Ajo kishte jetuar në atë apartament për më shumë se 70 vjet.
Kompania që zotëronte banesën më vonë i ofroi mundësinë që të kthehej me një qira më të ulët. Megjithatë, Abascal nuk mundi ta nënshkruante marrëveshjen, pasi ishte shtruar në spital.
“Me keqardhje njoftojmë se Maricarmen ka vdekur sot”, tha Unioni i Qiramarrësve të Madridit në një deklaratë, duke e cilësuar rastin e saj si “një pikë kthese në historinë e këtij vendi”.
Zëdhënësja e unionit, Alicia del Río, tha se “spekulimi kushton jetë” dhe se “sot rentierizmi ka vrarë përfundimisht kolegen tonë Maricarmen”, duke shtuar se “kujtesa e saj do të jetojë me ne”.
Abascal u bë simbol i krizës së banesave në Spanjë pas dëbimit të saj.
Babai i saj kishte marrë me qira apartamentin në vitin 1956 dhe, pas vdekjes së prindërve, ajo kishte vazhduar të jetonte aty si qiramarrëse. Për një periudhë të gjatë, qiraja ishte e kufizuar me ligj.
Megjithatë, kompania Urbagestión, e cila e bleu pronën në vitin 2018, e rriti qiranë nga 500 euro në muaj në 2,650 euro.
Më vonë, kompania i ofroi uljen e qirasë në 1,650 euro në muaj, por edhe kjo shumë ishte 300 euro më e lartë se pensioni mujor i Abascalit, raporton BBC.
Gjykatat kishin bllokuar tri përpjekje të mëparshme për dëbimin e saj, ndërsa rasti mori gjithnjë e më shumë vëmendje mediatike.
Zemërimi publik për rastin u rrit, duke çuar në protesta dhe duke shtuar presionin ndaj qeverisë së koalicionit për miratimin e legjislacionit emergjent për strehimin. Megjithatë, projektligji u rrëzua në Kongres javën e kaluar.
Pas kësaj, protestat u zgjeruan edhe më tej. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e qyteteve të ndryshme të Spanjës gjatë fundjavës, duke protestuar kundër krizës së banesave dhe rritjes së qirave.