Papa Leoni do t’i nënshtrohet një operacioni në mushkëri

Papa Leoni XIV ka njoftuar se do t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim, pasi gjatë një kontrolli mjekësor iu zbulua një nodul në mushkëri.

“ Mjekët zbuluan një nodul të vogël në mushkëri, në një fazë të hershme dhe të lokalizuar mirë”, u tha Papa besimtarëve të dielën, gjatë lutjes së tij javore në sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

Ati i Shenjtë, 71 vjeç, tha se ekipi i tij mjekësor vlerëson se ndërhyrja është e nevojshme dhe se ai ka rënë dakord t’i nënshtrohet operacionit. Ai theksoi se noduli është i kufizuar në një zonë të caktuar dhe është zbuluar në fazë të hershme.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit (Angelus), Papa falënderoi të gjithë për afërsinë shpirtërore dhe tha se ia beson veten lutjeve të tyre.

Zëdhënësi i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, bëri të ditur se operacioni është planifikuar për ditët e para të javës së ardhshme. Sipas tij, Papa pritet të ketë nevojë për rreth një javë për t’u rikuperuar.

Sipas portalit zyrtar Vatican News, ndërhyrja do të kryhet në spitalin Gemelli në Romë. Në këtë spital ndodhet një suitë e posaçme papnore, e cila u krijua pas atentatit ndaj Papa Gjon Palit II në maj të vitit 1981 dhe vazhdon të përdoret edhe sot.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, shprehu solidaritetin e saj personal me Papën përmes një postimi në platformën X, ndërsa ai përgatitet për ndërhyrjen mjekësore. Edhe presidenti italian, Sergio Mattarella, i uroi shërim të qetë dhe rikthim të shpejtë e të plotë të shëndetit.

Urime për shërim të shpejtë i përcolli edhe presidenti i Izraelit, Isaac Herzog.

Papa Leoni XIV, emri i lindjes i të cilit është Robert Francis Prevost, u zgjodh në krye të Kishës Katolike në vitin 2025, pas vdekjes së Papa Françeskut. Ai është papa i 267-të në historinë e Kishës Katolike dhe i pari me origjinë amerikane.

I shuguruar prift në vitin 1982, ai kaloi shumë vite si misionar në Peru, ku u angazhua në punën me komunitetet e margjinalizuara.

Gjatë shërbesës së së dielës, Papa konfirmoi se vizita e planifikuar në Uruguai, Argjentinë dhe Peru në muajin nëntor do të vazhdojë sipas planit.

Kryepeshkopi i Montevideos, Daniel Sturla, tha se përgatitjet për vizitën do të vazhdojnë me “entuziazëm edhe më të madh”, ndërsa u bëri thirrje besimtarëve të luten për shërimin e Papës.

Sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Britanisë së Madhe (NHS), noduli në mushkëri është një masë e vogël indi, e cila zakonisht zbulohet gjatë një radiografie ose skanimi CT të kraharorit. Shumica e nodujve nuk shkaktojnë simptoma.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika