11 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku mes një autobusi turistik dhe një kamioni tërheqës, në distriktin Akhisar të Manisës, në Turqi.
Aksidenti ka ndodhur pranë pikave të pagesës në autostradën Gebze–Orhangazi–Izmir. Sipas guvernatorisë së Manisës, të dy automjetet po udhëtonin nga Bursa në drejtim të Izmirit.
Guvernatoria bëri të ditur se njoftimin për aksidentin e kishte marrë në orën 11:00, ndërsa të lënduarit janë transportuar në spitale për trajtim mjekësor.
Guvernatori i Manisës, Vahdettin Özkan, i cili mbërriti në vendin e ngjarjes, tha se në autobus ndodheshin 34 pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit. Në aksident ishte përfshirë edhe drejtuesi i kamionit.
Sipas Özkanit, nga 27 të lënduarit, 16 janë dërguar në spitale me kod të verdhë, nëntë me kod të gjelbër dhe një me kod të kuq, që tregon gjendje më të rëndë shëndetësore.
Shoferi i autobusit, i cili gjithashtu pësoi lëndime, përfundoi trajtimin në një spital privat në Akhisar. Pas daljes nga spitali, ai u mor në paraburgim nga ekipet e xhandarmërisë.
Ndërkohë, të lënduarit e tjerë vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor.
Mediat turke, duke iu referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, raportojnë se autobusi kishte marrë pasagjerë në qytetin e Bursës pak para aksidentit, i cili ndodhi pranë pikave të pagesës në Akhisar.