Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se të hënën në mëngjes do të thërrasë mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, pas dy ngjarjeve tragjike në tri ditët e fundit, ku kanë mbetur të vrarë tre persona.
Të premten, në fshatin Livoç i Ulët, një burrë dyshohet se vrau bashkëshorten dhe kunatin e tij, si dhe plagosi një person tjetër. Ndërsa të dielën mbrëma, një 29-vjeçar mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Pogragjë të Gjilanit.
Hyseni, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Ai ka bërë të ditur se në mbledhjen e jashtëzakonshme do të koordinohen veprimet me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe organet e tjera të rendit dhe të ligjit, me qëllim të garantimit të sigurisë publike në të gjitha pjesët e komunës.
Kryetari i Gjilanit ka theksuar se komuna do t’i shfrytëzojë të gjitha kompetencat e saj për të bashkëpunuar me organet e sigurisë në menaxhimin dhe parandalimin e rasteve të tilla.