Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se sezoni i ngrohjes 2026/2027 nis zyrtarisht sot, më 15 tetor, për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes në Prishtinë.
Sipas njoftimit, pas vlerësimit të përgatitjeve për sezonin e ri, kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Bersant Beka, në bashkëpunim me menaxhmentin e ndërmarrjes, ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e furnizimit me ngrohje.
Gjatë ditëve të fundit, Termokosi ka përfunduar përgatitjet teknike dhe organizative për sezonin e ri. Në kuadër të këtyre angazhimeve, është nënshkruar edhe marrëveshja për furnizim me energji me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Ndërmarrja ka bërë të ditur se, në koordinim me Komunën e Prishtinës dhe organet drejtuese, është vlerësuar se janë krijuar kushtet e nevojshme për nisjen e sezonit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kushtet klimatike.
Megjithatë, furnizimi me ngrohje do të nisë me kapacitet të kufizuar dhe do të rritet gradualisht, me qëllim të garantimit të sigurisë së pajisjeve dhe funksionimit të qëndrueshëm të sistemit, deri në stabilizimin e plotë të furnizimit për të gjithë konsumatorët.