Nagavci: Më vjen mirë që fëmijët në shumë shkolla të Gjakovës po e fillojnë mësimin

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i ka falënderuar mësimdhënësit e Komunës së Gjakovës, të cilët kanë vendosur t’i japin fund grevës në disa shkolla të kësaj komune

Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është shprehur falënderuese ndaj mësimdhënësve të Komunës së Gjakovës, të cilët kanë vendosur t’i japin fund grevës, dhe me këtë rast të fillojë mësimi në disa shkolla të kësaj komune.

“I falënderoj mësimdhënësit e Gjakovës dhe të gjithë ata mësimdhënës kudo në Kosovë, që e kanë kuptuar drejt situatën, kërkesën tonë për fillimin e mësimit dhe veprimet serioze që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për ta përmirësuar situatën financiare të të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësit dhe familjet e tyre”, ka shkruar ministrja Nagavci në Facebook.

Tutje Nagavci, u ka bërë thirrje edhe mësimdhënësve të tjerë që t’i kthehen procesit mësimor.

Ajo theksoi se Ligji për pagat këtë javë do të dalë në debat publik dhe, përmes tij, do të përmirësohet situata në arsim.

“Duke e respektuar të drejtën e secilit për pagë më të mirë e jetë më të dinjitetshme në Kosovë, ju siguroj edhe një herë se jam skajshmërisht e përkushtuar që të bëjmë më të mirën brenda mundësive që kemi. I mirëkuptoj kërkesat tuaja dhe ju kam në vëmendje të vazhdueshme, por dialogu social mund të vazhdojë tutje edhe pa e dëmtuar të ardhmen e fëmijëve”, ka thënë Nagavci.

Tri shkolla nga Komuna e Gjakovës pritet t’i japin fund grevës dhe ta fillojnë mësimin.

Shkollat që kanë dalë me këtë vendim janë: Shkolla Fillore “Mustafa Bakija”, shkolla “Fan. S. Noli” në Dujakë dhe shkolla “Emin Duraku”.

Në njoftimin e shkollës “Mustafa Bakija” thuhet se përkundër ndërprerjes së grevës, mësimdhënësit e shkollës nuk janë dakord me mosrealizimin e kërkesave të tyre, dhe se janë të zhgënjyer nga takimi i fundit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Grevist.

Takimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Grevist nuk pati asnjë rezultat. Të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën duke thënë se nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, të cilat do të mund të prodhonin kompromis dhe ta ndalnin grevën.

Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 50 euro për punëtorët e sektorit publik, kurse kërkesë e sindikatave në takimin e fundit ishte që kjo shumë të rritej në 80 edhe pse kërkesa fillestare ishte 100, por ky “lëshim”, sipas sindikatave, është bërë për ta arritur një kompromis.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tyre dhe nuk e ka shtuar shumën e kërkuar nga sindikatat.

Greva e sindikalistëve është duke u mbajtur nga 25 gushti i këtij viti, dhe ende nuk ka ndonjë marrëveshje me qeverinë që do të mundësonte që mësimi të fillojë.

Shija e redaktorit

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

UEFA publikon oraret e play-off-it të Botërorit 2026: Kosova dhe...

UEFA ka zyrtarizuar oraret e gjysmëfinaleve të play-off-it për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohen më 26 mars 2026 në orën 20:45. Si...

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Të fundit nga rubrika