A mund ta mënjanojë Kosova formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?

Presioni ndërkombëtar për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është rritur. Analistët thonë se kjo çështje është mjaft e komplikuar, sepse kërkesa e ndërkombëtarëve e sidomos e ShBA-së është mjaft e qartë

Pamje nga takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuqiç në ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Josep Borell dhe emisarit special të BE-së pë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, Bruksel, 18 gusht 2022

Pesë orë diskutime më 18 gusht të këtij viti në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mes të krerëve shtetërorë, të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, nuk prodhuan marrëveshje.

U desh vizita disaditore në Kosovë dhe Serbi, nga përfaqësuesi Special i BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, që më në fund të arrihej një marrëveshje për dokumentet hyrëse-dalëse.

Lajmin e kishte bërë të ditur, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili kishte thënë se “Serbia ka rënë dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse-dalëse për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës, dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”.

Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i institutit “Musine Kokalari”, në një prononcim për Portalin Dukagjini, e ka konsideruar lajm të mirë marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për lëvizje të lirë, por sipas tij nuk mund të ketë vlerësim të duhur për shkak se ende nuk është publikuar dokumenti i marrëveshjes që do t’i bënte të ditura detajet.

Ai thekson se është e rëndësishme që janë shmangur tensionet në mes të të dyja vendeve.

“Është vështirë të vlerësohet meqë ende nuk ka ndonjë tekst të marrëveshjes që do t’i bënte të ditura të gjitha detajet. Sidoqoftë mëndoj që është lajm i mirë arritja e marrëveshjes për implementimin e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2011, e cila i përmbante të drejtën e zbatimit të masave reciproke ndaj dokumenteve të Serbisë ashtu siç bën Serbia me dokumentet e Kosovës. Më shumë se sa zbatimi i këtyre masave është e rëndësishme që marrëveshja i shmang tensionet gjatë kohës kur zbatohet, meqë kemi parë një rrjedhë problematike të ngjarjeve rreth kësaj çështjeje kohëve të fundit, veçanërisht me kërcënimet dhe gjuhën luftënxitëse që vinte nga Serbia”, ka deklaruar Ymeri.

Analisti Visar Ymeri në Debat Plus

I pyetur rreth formimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, Ymeri ka deklaruar se një gjë e tillë është e pashmangshme, sidomos pas interesimit të Shteteve të Bashkuara për t’i implementuar të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel nga Kosova dhe Serbia.

“Kjo është e pashmangshme. Rritja e interesimit dhe përfshirjes së ShBA-së, veçanërisht në këtë çështje, përmes mbështetjes që i jep procesit dhe BE si lehtësues, po tregon qartë që as Kosova e as Serbia nuk do të mund ta zvarrisin zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht sa ato mund t’i konsiderojnë të padrejta e të dëmshme. Në fund të fundit marrëveshja nënkupton se të dyja palët janë pajtuar për një zgjidhje të caktuar. Kështu që të thuhet se marrëveshja është e keqe nuk ka kuptim, pasi ato nuk janë të imponuara por të dakorduara”, ka thënë ai.

Ndërkaq, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, duke folur për marrëveshjet e arritura në Bruksel, respektivisht për dokumentet identifikuese dhe për targat, është shprehur  se “është dëshpëruese të thuhet se prej njëmbëdhjetë vjetësh, tashmë çështja e dokumenteve identifikuese dhe tabelave të veturave nuk është përmbyllur si çështje, përkundër se kishim të nënshkruar një marrëveshje qysh 2011-n”.

Sipas Pulës, reciprociteti është dashur të vendoset shumë më herët nga qeveritë e mëparshme.

Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

“Nga ana jonë, si Kosovë, asgjë jonormale nuk ka jetësimi i vendimeve të ligjshme, e nga një qeveri legjitime, e cila mëton ta shtrijë autoritetin e qeverisë qëndrore në pjesën e veriut të vendit, por, i panjohur ishte mosvullneti politik e institucional i disa qeverive më parë që nuk e kanë bërë reciprocitetin, kështu duke ia dhënë Serbisë komoditetin për të vepruar njëanshëm”, ka deklaruar ai.

Duke folur për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, Pula thotë se presioni është mjaft i madh nga bashkësia ndërkombëtare, sipas tij Kosova duhet të vijë me ide kreative për statutin e Asociacionit.

Ai është shprehur se Kosova mund ta marrë shembull Asociacionin me Shumicë të Komunave Serbe në Kroaci.

“Tani, qeveria e Kosovës, për shkak edhe të thirrjeve të vazhdueshme nga faktori ndërkombëtar por edhe shteteve mike të Kosovës, duhet të vijë me propozime kreative mbi një draft-statut për asociacionin, e që, një nga shembujt si referencë mund ta marrë statutin e asociacionit me shumicë të komunave serbe të Kroacisë, i cili statut mund të përshtatet me rrethanat tona. Ashtu si Kroacia, edhe Kosova kanë qenë njësi federative e ish-Jugosllavisë, sipas kushtetutës të vitit 1974, si dhe Kroacia është shtet anëtar i NATO-s dhe UE-së”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Kosova i ka vetëm dy zgjidhje, ta dërgojë pikën mbi asociacionin në Kuvendin e Kosovës, dhe deputetët ta zhvlerësojnë apo të draftohet një statut i i cili do të mundësonte themelimin e tij.

“Me këtë rast, ne, si institucione kemi dy rrugë, pikën mbi asociacionin e marrëveshjes së 2013-s, ta dërgojmë në kuvend dhe deputetët ta zhvlerësojnë si marrëveshje ndërkombëtare, ose ta draftojnë një statut i cili do të mundësonte themelimin e asociacionit, ka deklaruar Pula.

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është arritur në vitin 2013 dhe parimet për të janë miratuar në vitin 2015, vit ky në të cilin Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte përcaktuar se disa nga parimet e marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen me statut.

Çështja e targave

Në lidhje me çështjen e targave dhe mundësinë për një marrëveshje, drejtori ekzekutiv i Institutit “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, përsëri ka hedhur kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për mungesë të transparencës.

Por, sipas tij, edhe në këtë pikë shteti i Kosovës qëndron mirë për shkak të përkrahjes ndërkombëtare.

“Te çështja e targave mendoj se pika më e ndjeshme është targat që i lëshon Serbia për komunat e Kosovës. Këtu mendoj se do të thyhen shtizat dhe do të kërkohet kompromisi. Sa do të ketë hapësirë për t’u dakorduar në këtë pikë, është vështirë të thuhet për shkak të mungesës së transparencës në proces. Mirëpo edhe në këtë pikë mendoj që Kosova është në avantazh pasi e ka përkrahjen ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Ilustrim

Kurse Shqiprim Pula, i ka kritikuar qeverisjet ndër vite të Kosovës për mungesë të konsistencës politike të reciprocitetit.

Ai e ka kritikuar edhe BE-në se nuk ka pasur qasje tërësisht neutrale sa i përket reciprocitetit.

“Udhëheqësit politikë të kohës në Kosovë e Serbi kanë vendosur qëndrime politike kompromisi lidhur me lëvizjen e lirë, siç janë të pëcaktuara te dokumenti “konkluzat e dakorduara të korrik 2011” dhe natyrisht është konsideruar një përpjekje serioze për t’ua lehtësuar lëvizjen e lirë qytetarëve të të dyja vendeve, por, çuditërisht, nga ana jonë nuk u zbatua asnjëherë sepse nuk kishte një konsistencë politike reciprociteti!”, ka thënë ai.

“Përgjatë gjithë këtyre viteve dialogu ishte nën kujdesin sistematik të UE-së, gjë që tregon se çdo lloj përparimi i mundshëm është përmes Brukselit zyrtar si lehtësues dhe mbikëqyrës i procesit të dialogut, përkundër që Brukseli zyrtar nuk ka treguar paanshmëri të plotë karshi palëve dialoguese. Meqë Brukseli nuk insiston kundrejt palës serbe që të pranojë reciprocitetin dhe të pranojë jetësimin e vendimeve ashtu siç ajo ka vepruar njëanshëm prej vitesh tashmë, përsa i takon dokumunteve identifikuese dhe tabelave të veturave”, ka vijuar Pula.

Marrëveshja për targat midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011, në Bruksel

Automjetet me targat serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës si PR, KM, GL, e të tjera, është dashur të regjistrohen sërish në RKS ose me status neutral – KS.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, shumica e popullsisë serbe që jetojnë në katër komunat në Veri të Kosovës, kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë.

Ato lëshoheshin nga ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Ndërkaq, qytetarët e Kosovës nuk lejoheshin të hynin në territorin e Serbisë me targa RKS.

Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme për të cilat kanë paguar rreth pesë euro, të vlefshme për 60 ditë.

Me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjera të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.

Kjo periudhë pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator të vitit 2021.

“Ky ishte afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator të po të njëjtit vit, teksa kishte shtuar se këto targa do të konfiskohen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë përkoi me skadimin e targave KS (Kosova), neutrale ndaj statusit, me të cilat mund të shkohej në territorin e Serbisë pa targa provuese.

Qeveria e Kurtit njoftoi se qytetarëve në veri të Kosovës do t’u hiqen të gjitha targat KM (Mitrovica e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat janë të paligjshme për Kosovën.

Më 18 gusht 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë raundit të dialogut në Bruksel, dështuan të arrinin marrëveshje për targat dhe dokumentet, që rritën tensionet mes shteteve.

Në lidhje me çështjen e targave, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se “puna për lëvizjen e lirë ende nuk ka përfunduar, ende janë disa probleme të pazgjidhura”. Ai u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të jenë konstruktivë në mënyrë që të zgjidhen problemet në mes të dyja vendeve.

Ndërkaq, kryeministri Kurti ka bërë të ditur se reciprociteti për çështjen e targave do të fillojë më një shtator të këtij viti.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika