Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë, duke kritikuar qëndrimet e disa prej deputetëve të LDK-së.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shkruar “S’rrotullohet shteti për një ambicie”.
Ai ka thënë se kishte menduar se qëndrimet e tyre ishin për parime dhe për Kosovën, por sipas tij, beteja është për kryetarin e LDK-së.
“Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar Abdixhiku.
Më tej, kreu i LDK-së ka thënë se kjo parti “njihet ndryshe”, duke kritikuar qasjen e disa prej bashkëpartiakëve të tij.
“LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete”, ka shkruar Abdixhiku.
Në fund të reagimit, ai ka shtuar: “Zot, fali, kaq dinë; se populli s’ka për t’i falur!”.