Ahmeti: Zgjidhja përfundimtare do ta ketë njohjen reciproke në qendër

"Shtylla e çfarëdo zgjidhje përfudimtare që do të bëhet në të ardhmen është njohja reciproke", kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzivisht për RTV Dukagjinin, zëvendës ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. Ndërsa, ka shtuar se një gjë e tillë mbështetet edhe nga ShBA-të dhe Parlamenti Evropian

Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti

Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, në një intervistë për emisionin Five në RTV Dukagjini ka thënë se qeveria ka për qëllim që kurdo që arrihet një zgjidhje përfundimtare me Serbinë, të ketë njohjen reciproke në qendër.

Pra, sipas Ahmetit, njohja reciproke është shtylla e çdo zgjidhjeje përfundimtare që sipas tij do të bëhet në të ardhmen.

“Qëllimi i qeverisë së Republikës së Kosovës është që zgjidhja përfundimtare të jetë me njohje reciproke dhe çfarëdo zgjidhje  e ndërmjetme që bëhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, gjë e cila mbështetet edhe nga SHBA-të, është deklaruar edhe publikisht nga presidenti amerikan Biden dhe nga kancelari Scholz e gjithashtu nga Parlamenti Evropian. Pra, kjo është shtylla e çfarëdo zgjidhje përfudimtare që do të bëhet në të ardhmen”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka folur në një intervistë me gazetaren e RTV Dukagjinit, Kaltrina Zymberi, lidhur me ç’njohjen nga Togo  e cila po flitet ditëve të fundit.

Ahmeti ka thënë se një njoftim i tillë nuk qëndron pasi është pozicionim i vitit 2019, pra sipas tij nuk është diçka e re.

Ndërsa, ka theksuar se edhe ç’njohjet për të cilat Vuçiq ka thënë se janë bërë nga nëntë vendet e tjera,  janë demantuar nga vetë ato vende.

“Ashtu siç ka thënë ministrja Gërvalla njoftimi i djeshëm nuk qëndron, pra përderisa diplomacia nuk po arrin të prodhojë rezultate të reja, po i riciklon lajmet e vjetra. Ai pozicionim i Togos ka ndodhur në vitin 2019  dhe dje nuk kishte asgjë të re. Për më tepër edhe të ashtuquajturat çnjohje nga nëntë vendet e tjera të proklamuara nga Vuçiq janë demantuar. Shërbimi ynë i jashtëm, ambasadorët nëpërmjet akreditimeve sekondare mbulojnë edhe ato vende që janë përmendur dhe në komunikim me to është vërtetuar se nuk qëndron. Vetë ato vende kanë demantuar deklaratën e Vuçiq, prandaj nuk ka asgjë të vërtetë nga këto deklaratat e fundit nga Beogradi”, ka thënë Ahmeti në një intervistë e cila u transmetua në emisionin Five në RTV Dukagjini.

Tutje, ka shtuar se Serbia vazhdimisht vazhdon fushatat e saj për ç’njohjen e Kosovës, madje një gjë të tillë ky shtet e ka bërë edhe gjatë moratorumit të zotimeve të Ëashingtonit, që të njëjtit ishin zotuar se do ta ndërprejnë fushatën.

“Serbia mban një politikë të njëjtë karshi Kosovës dhe rajonit, e cila është politikë hegjemoniste. Por, sigurisht që kthimi i një personi i cili ka qenë pjesë e regjimit të Millosheviqit nuk përbën lajm të mirë për rajonin. Mduhet të them se Serbia nuk e ka ndalur asnjëherë  fushatën e të ashtuquajturave ç’njohje edhe gjatë moratoriumit të zotimeve të Ëashingtonit ku vetë janë zotuar se do ta ndërprejnë këtë fushatë, tri ditë pas këtij zotimi ata e kanë vazhdu fushatën e njëjtë. Dhe ne kemi lobu diku rreth 30 raste gjatë asaj kohe të lobimit të Serbisë kundër Kosovës, pas asaj periudhe deri sot janë edhe më shumë se 30 raste”, ka vijuar ai.

Megjithatë, sipas Ahmetit Republika e Kosovës vazhdimisht punon që fushatat e tilla të Serbisë të mos kenë sukses, por i kushtohet rëndësi zgjerimit të marrëdhënieve diplomatike me vendet tjera.

“Republika e Kosovës përmes shërbimit të jashtëm diplomatik punon në baza ditore që kjo fushatë të mos jetë e suksesshme. Ne kemi një strategji proaktive, jemi duke synuar dhe po punojmë që t’i zgjerojmë dhe thellojmë raportet me të gjitha vendet me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike”, ka deklaruar Ahmeti.

Lidhur me atë se a ka diçka konkrete rreth njohjeve apo jo, ka thënë se një vendim i tillë i’u takon vendeve, gjersa, është zotuar se po punohet që njohjet të ndodhin sa më shpejtë.

“Nuk na takon ne që të njoftojm për afate apo vendime të tilla, ju takon vendeve. Ajo që mund të zotohem është se ne po angazhohemi në baza ditore që ajo të ndodhë sa më shpejtë. Kemi parë edhe nga pesë vendet mos njohëse të BE-së që ka progrese, por progreset në këtë fazë janë inkrementale. Nuk mund të presim njohje në numra të mëdha, zhvillimet do të jenë inkrementale”, ka shtuar Ahmeti.

Për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe takimet e fundit, Ahmeti ka thënë Kosova është palë konstruktive në dialog por është e gatshme për të vazhduar tutje dialogur në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian, bëhet fjalë për planin franko-gjerman.

“Ne jemi palë konkstruktive në dialog dhe e gatshme që të procedojmë tutje. Kemi deklaruar që propozimi i BE-së i cili u quajt franko-gjerman fillimisht është një bazë e mirë për ta vazhduar dialogun në korniza të saj. Kemi pasur një qasje jokonstruktive nga Beogradi, ajo që mund të them është se ka gatishmëri qeveria e Kosovës dhe konstruktivitet që të vazhdojmë tutje drejt një zgjidhje”, ka vijuar Ahmeti.

Ndërkaq, për asociacionin Ahmeti ka theksuar se një zgjidhje nuk mund të ekzistojë në diçka që shkon përtej Kushtetutës së Kosovës sepse sipas tij atëherë do të ‘rihapej pakoja e Ahtisarit’.

“Nuk mund të ketë zgjidhje të cilat shkojnë përtej Kushtetutës së Republikës së Kosovës sepse një gjë e tillë do ta rihapte pakon e Ahtisarit dhe nuk besoj që kjo është në interesin e cilësdo palë. Gjykata Kushtetuese ka qenë shumë e qartë në opinionin e saj rreth kësaj teme dhe asnjë qeveri e asnjë vendi nuk mund të dalë përtej Kushtetutës së vet”, ka deklaruar Ahmeti.

I pyetur për çështjen e Martin Berishajt,  se a duhet shkarkuar ky i fundit, Ahmeti ka theksuar se mbështet qëndrimin e ministres Gërvalla dhe kjo është punë e sistemit gjyqësor.

“Unë nuk kam çfarë ti shtojë më shumë qëndrimit që e ka dhënë ministrja Gërvalla dje dhe nuk mund të komentojë mbi proceset e hetimeve që bëhen nga një shtyllë e pavarur e pushtetit që është sistemi gjyqësor”, ka përfunduar Ahmeti.

Ndryshe, Gërvalla kishte thënë se nuk mund të shkarkohet një ambasador pa fakte e bazuar në spekulime mediatike, ani se ndaj Berishajt ka hetim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për mos deklarim të pasurisë. Të njëjtin qëndrim e ka përkrahur edhe Kreshnik Ahmeti. Gjersa, ka shtuar se nuk do të ketë mospajtime mes krerëve për çështjen e Martin Berishajt.

 

 

 

 

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika