Ambasada e SHBA-së në Kosovë pritet të mbajë sërish diskutim për Asociacionin

Zyrtarë qeveritarë, pjesëtarë të shoqërisë civile, liderë të partive politike dhe diplomatë, pritet të marrin pjesë në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Ilustrim

Në Ambasadën e Shteteve të  Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, të enjten e nëntë shkurtit do të organizohet një diskutim tjetër për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Pjesëmarrësit që ishin në diskutimin për Asociacionin, më 31 janar, tashmë janë ftuar nga ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, mëson Portali Dukagjini.

“Ambasadori Hovenier ju fton për një pritje, të enjten më 9 shkurt, 2023 nga ora 18:30 deri në ora 20:00, në nder të pjesëmarrësve të diskutimit të 31 janarit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, thuhet në ftesë.

Ndryshe, zyrtarë qeveritarë, pjesëtarë të shoqërisë civile, liderë të partive politike dhe diplomatë, kanë marrë pjesë në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë ritheksuar edhe një herë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Themelimi i Asociacionit është përmendur në propozimin e fundit evropian, një plan disapikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për Asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij, marrëveshja për Asociacionin, sipas draftit fillestar, nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, e ka potencuar përkushtimin e Kosovës që sa më shpejt të arrihet dakordimi final rreth propozimit të BE-së, të mbështetur nga Franca e Gjermania.

Ai ka treguar rrethanat, në të cilat, do të zbatohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

  • Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
  • Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas kushtetutës.
  • Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
  • Para vendosjes së asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
  • Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Kosovën.
  • Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-së për mospranimin e aplikimit të Kosovës në BE.

Shija e redaktorit

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Kosova shteti i parë në Ballkan me angazhime të pranuara...

Republika e Kosovës është bërë shteti i parë nga Ballkani dhe i shtati në botë që i janë pranuar angazhimet në Kartën Globale për...

Të fundit nga rubrika